Edhe 735 mijë euro nga kredia hungareze për investimet e kompanive vendore
Edhe 735 mijë euro të tjera nga kredia hungareze janë vënë në dispozicion të kompanive vendore për realizimin e investimeve. Ministria e Financave njoftoi se 45,2 milionë denarë janë transferuar nga Buxheti Qendror në Bankën Zhvillimore për mbështetjen e investimeve në sektorin privat.
Me këtë transferim, mbështetja e përgjithshme që Qeveria ka realizuar deri më tani përmes kësaj mase arrin në 14,9 miliardë denarë, përkatësisht rreth 242 milionë euro.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo mbështetje ka ndikuar në realizimin e investimeve private dhe në nxitjen e aktivitetit ekonomik. Në buxhetin për këtë masë janë paraparë gjithsej 250 milionë euro.
Mjetet janë siguruar nga Banka Hungareze për Eksport-Import, me qëllim nxitjen e ciklit të investimeve në sektorin privat dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Shpërndarja bëhet përmes Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale, ndërsa përfituesit përfundimtarë janë kompanitë vendore.
Kreditë ofrohen me kushte të favorshme financimi, me normë interesi prej 1,95 për qind, afat kthimi deri në 15 vjet dhe periudhë grejs deri në tre vjet.
Transhën e parë të mjeteve nga Buxheti drejt Bankës Zhvillimore dhe kompanive vendore, Ministria e Financave e kishte realizuar në mars të vitit të kaluar.
Flaka Media















