Google prezanton Gemini 4 Neon, modelin e ri të inteligjencës artificiale për programim dhe kërkime shkencore
Google ka prezantuar Gemini 4 Neon, një model të ri të inteligjencës artificiale që kombinon aftësitë e avancuara të arsyetimit me ekzekutimin më të shpejtë të detyrave komplekse. Modeli është projektuar kryesisht për përdorim profesional, duke përfshirë zhvillimin e softuerëve, analizat e biznesit, përpunimin e sasive të mëdha të informacionit dhe kërkimet shkencore.
Sipas Google, Gemini 4 Neon renditet në vendin e tretë në Artificial Analysis Intelligence Index, me 61 pikë në nivelin më të lartë të arsyetimit xhigh. Në Vals Index zë vendin e dytë, ndërsa në Agent Arena Index renditet gjithashtu në vendin e dytë, bazuar në vlerësimin e më shumë se 4.200 sesioneve reale me agjentë të inteligjencës artificiale.
Një nga veçoritë kryesore të modelit është aftësia për të ndjekur udhëzime komplekse me disa hapa, për t’u përshtatur me korrigjimet e përdoruesve gjatë punës dhe për të përfunduar detyrat pa përsëritur veprimet e mëparshme.
Google pretendon se në testimet e brendshme përmes Google Antigravity, modeli ka shënuar nivelin më të ulët të gjenerimit të informacioneve të pasakta krahasuar me modelet e mëparshme të kompanisë.
Përpunon dokumente, tabela, audio dhe video
Gemini 4 Neon mund të analizojë formate të ndryshme të përmbajtjes, përfshirë tabela, dokumente PDF, grafikë, audio dhe video, përmes një dritareje kontekstuale prej një milion tokenësh.
Kjo mundëson ndërthurjen e informacioneve nga burime të ndryshme dhe shndërrimin e tyre në raporte të strukturuara dhe rezultate konkrete.
Sipas Google, modeli ka arritur rezultate veçanërisht të mira në financa, kontabilitet, modelimin e tabelave dhe kërkimet juridike. Në Legal Research Bench dhe Tax Agent Bench ka zënë vendin e parë, ndërsa në Vals Index ka arritur rezultat prej 70,9 për qind.
Edhe në detyrat shkencore dhe matematikore, Google raporton rezultate të larta: 70,5 për qind në Terminal-Bench Science, 84 për qind në RiemannBench dhe 71,3 për qind në HLE-Diamond.
Aftësi të avancuara në programim dhe siguri kibernetike
Modeli i ri është zhvilluar edhe për detyra afatgjata të programimit, përfshirë identifikimin dhe korrigjimin e gabimeve, ristrukturimin e kodit dhe punën me shumë skedarë në projekte të mëdha softuerike.
Sipas kompanisë, Gemini 4 Neon renditet i pari në Artificial Analysis Coding Agent Index, me 58,6 pikë.
Ai mund të kryejë në mënyrë autonome procese komplekse pune ose të funksionojë si koordinator i disa agjentëve paralelë të inteligjencës artificiale në Google Antigravity.
Në Terminal-Bench 4.1 modeli ka arritur rezultat prej 65,2 për qind, ndërsa në testimin SWE-sweep përmes Antigravity ka shënuar 39 për qind.
Një tjetër fushë e rëndësishme është siguria kibernetike. Gemini 4 Neon mund të identifikojë dobësitë në softuer, të kontrollojë nëse ato mund të shfrytëzohen dhe të propozojë zgjidhje për korrigjimin e tyre.
Në SEC-bench Pro ka arritur 90,5 për qind, ndërsa në CWE-bench v2 rezultat prej 70,7 për qind.
Google thekson gjithashtu se modeli gjeneron kod më të sigurt se paraardhësi Gemini 4 Carbon në të gjitha kategoritë e testuara të AutoBaxBench, duke arritur 76 për qind në kategorinë me sfidat më të vështira.
Një version i veçantë, Gemini 4 Neon for Cyber, pritet të jetë në dispozicion në ditët në vijim për pjesëmarrësit e miratuar në programin Fairwind.
Kosto më të ulëta dhe kontroll mbi performancën
Gemini 4 Neon ofron katër nivele të arsyetimit, duke u mundësuar përdoruesve të përshtatin raportin ndërmjet inteligjencës, shpejtësisë dhe konsumit të tokenëve, varësisht nga kompleksiteti i detyrës.
Sipas Google, në nivelin standard High, modeli arrin rezultate të larta me 32 për qind më pak shpenzime për detyrë krahasuar me Gemini 4 Carbon.
Në disa procese pune të testuara, kostot janë 50 deri në 80 për qind më të ulëta krahasuar me modelet konkurruese.
Edhe në nivelin më të lartë të arsyetimit, xhigh, Neon është më shumë se 36 për qind më i lirë për detyrë në krahasim me modelet konkurruese në konfigurimet e tyre më të avancuara.
Çmimi për përdorim përmes API-së është tre dollarë për një milion tokenë hyrës dhe 15 dollarë për një milion tokenë dalës. Tokenët hyrës të ruajtur në cache kushtojnë 0,15 dollarë për një milion, që përfaqëson një ulje prej 95 për qind.
Dritarja kontekstuale mbetet në një milion tokenë.
Ku do të jetë i disponueshëm modeli i ri?
Gemini 4 Neon ka filluar të shpërndahet përmes Gemini API në Google AI Studio dhe shërbimit Gemini for Business.
Ai është gjithashtu në dispozicion në Google Antigravity për përdoruesit me abonime me pagesë Google AI Pro dhe Ultra. Abonentët e këtyre pakove do të mund ta zgjedhin modelin edhe drejtpërdrejt në aplikacionin Gemini.
Me këtë prezantim, Google zgjeron familjen e modeleve Gemini 4, duke synuar kategori të ndryshme përdorimi. Ndërsa Carbon është orientuar drejt projekteve më komplekse dhe afatgjata, kurse Hydrogen drejt ekzekutimit të shpejtë të detyrave të përditshme, Neon synon të ofrojë një ekuilibër ndërmjet arsyetimit të avancuar, shpejtësisë dhe kostos së përdorimit.
Flaka Media















