Alarm në NATO: Rusia po përgatitet të dërgojë në hapësirë satelit me mbushje bërthamore
Shërbimet perëndimore të inteligjencës paralajmërojnë se Rusia mund të dërgojë në hapësirë një satelit të pajisur me mbushje bërthamore, potencialisht që në javët e ardhshme. Lajmi është publikuar më 23 nëntor nga mediat gjermane WDR, NDR dhe „Süddeutsche Zeitung“, duke iu referuar burimeve të sigurisë dhe vlerësimeve të shërbimeve perëndimore.
Sipas raportimeve, disa vende anëtare të NATO-s tashmë janë informuar përmes një paralajmërimi për këtë zhvillim. Ndërkohë, ushtria gjermane ka njoftuar ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, si dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë gjermane.
Sateliti mund të lëshohet brenda javëve të ardhshme
Sipas informacioneve të publikuara, shërbimet perëndimore të inteligjencës dhe strukturat ushtarake, përfshirë Bundeswehr-in dhe Shërbimin Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), vlerësojnë se Rusia mund ta realizojë lëshimin në çdo moment gjatë javëve të ardhshme.
Bëhet fjalë për një satelit të quajtur „Sputnik-S“, i cili, sipas raportimeve, është projektuar prej kohësh dhe ndodhet i magazinuar në një zonë pranë Moskës. Sipas vlerësimeve, ai mund të bëhet operacional në një periudhë të shkurtër pas vendosjes në orbitën e Tokës.
Rrezik për sistemet globale të komunikimit
Vendosja e një arme bërthamore në hapësirë do të përbënte një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Sipas ekspertëve dhe burimeve të sigurisë të cituara nga mediat gjermane, shpërthimi i një arme të tillë në orbitë mund të shkaktojë ndërprerje masive të funksionimit të satelitëve dhe të sistemeve teknologjike në Tokë.
Pasojat mund të prekin sistemet GPS, transaksionet bankare, rrjetet e energjisë elektrike dhe komunikimet mobile. Në aspektin ushtarak, dëmet mund të jenë veçanërisht të mëdha, pasi shumë sisteme të armatimit, komunikimit dhe zbulimit varen nga teknologjia satelitore.
Sipas raportimeve, ushtritë perëndimore janë dukshëm më të varura nga infrastruktura satelitore sesa ushtria ruse. Kjo është arsyeja pse një shpërthim bërthamor në hapësirë mund t’i krijonte Moskës një avantazh ushtarak, të paktën në afat të shkurtër.
Rusia i mohon akuzat
Ambasada ruse, në përgjigjen e saj për mediat gjermane WDR, NDR dhe „Süddeutsche Zeitung“, deklaroi se nuk ka informacione për zhvillimet e përshkruara.
Nga Moska i hodhën poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike lidhur me aktivitetet hapësinore të Federatës Ruse.
Precedenti amerikan i vitit 1962
Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore në hapësirë nuk është vetëm teorik. Në vitin 1962, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të projektit ushtarak „Starfish Prime“, shpërthyen një bombë bërthamore në lartësi prej rreth 400 kilometrash mbi Oqeanin Paqësor.
Shpërthimi krijoi një impuls elektromagnetik që shkaktoi ndërprerje të ndriçimit publik në Havai dhe dëmtime në sistemet e telekomunikacionit dhe pajisjet teknologjike. Gjithashtu, u dëmtuan disa satelitë, përfshirë satelitin e parë britanik dhe një satelit civil amerikan.
Sipas vlerësimeve, pasojat e një ngjarjeje të ngjashme sot do të ishin shumë më të mëdha, duke pasur parasysh numrin e madh të satelitëve që qarkullojnë aktualisht rreth Tokës.
Flaka















