VMRO: Dhuna ndaj grave nuk duhet të shfrytëzohet për pikë politike, kërkohet përgjigje institucionale
VMRO-DPMNE ka shprehur mbështetje për luftën kundër dhunës ndaj grave, duke theksuar se rastet e tilla duhet të trajtohen me përgjegjësi institucionale dhe nuk duhet të shfrytëzohen për përfitime politike.
Në një komunikatë, partia në pushtet thekson se për të gjitha rastet e dhunës ndaj grave duhet të ketë reagim institucional, jo vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe nga institucionet e tjera kompetente.
“Fillimisht, të gjitha rastet e dhunës ndaj grave duhet të pasohen me përgjigje institucionale, dhe atë jo vetëm nga MPB-ja. Po aq i rëndësishëm është funksionimi i mekanizmave parandalues. Si shoqëri duhet të kemi një qëllim të qartë: të mos lejojmë që gjërat të arrijnë deri në këtë pikë”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Partia përmend rastet e vrasjes së 31-vjeçares Ajnet në Manastir, 17-vjeçares Biljana Kiriq në Bogdanci, si dhe rastin e Ivanës dhe vajzës së saj, duke kërkuar që për secilin rast të ketë përgjegjësi edhe nga organet e drejtësisë, përfshirë prokurorinë dhe gjykatat.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se lufta kundër dhunës ndaj grave nuk duhet të jetë selektive dhe kritikojnë, siç thonë, përpjekjet e disa qarqeve opozitare për ta shfrytëzuar këtë çështje për pikë politike.
“Paraqitja e këtyre rasteve nuk është diçka e re. Para së gjithash, duhet të vihen plotësisht në funksion mekanizmat parandalues, sepse qëllimi kryesor është parandalimi i dhunës ndaj grave”, theksojnë nga partia në pushtet.
Flaka















