Banesat për të rinjtë 20% më lirë, por DOM kundërshton: Pse të ndërtohen të reja kur mijëra të tjera qëndrojnë bosh?
Qeveria paralajmëron banesa 20 për qind më të lira për çiftet e reja, por partia DOM vë në pikëpyetje efektivitetin e masave, duke kërkuar që në vend të subvencionimit të ndërtimeve të reja, të shfrytëzohen mijëra banesa që aktualisht qëndrojnë të zbrazëta.
Sipas propozimit të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, kompanitë ndërtimore që në të ardhmen do të ndërtojnë objekte banimi do të detyrohen të ndajnë së paku 10 për qind të sipërfaqes së banimit për çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare. Këto banesa do të ofrohen me çmime së paku 20 për qind më të ulëta se çmimet e tregut në komunën përkatëse gjatë vitit paraprak.
„Çdo kompani ndërtimore që në të ardhmen do të ndërtojë objekte banimi duhet paraprakisht të përcaktojë së paku 10 për qind të sipërfaqes së banimit, e cila më pas do t’u ofrohet çifteve të reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare, me çmim së paku 20 për qind më të ulët se çmimi që ka qenë aktual në atë komunë kadastrale gjatë vitit paraprak“, deklaroi Mickoski.
Përveç kësaj, Qeveria paralajmëron edhe lirimin nga taksat komunale për çiftet e reja që dëshirojnë të ndërtojnë shtëpi të tyre. Propozimi pritet të procedohet në Kuvend.
Por, nga DOM vlerësojnë se këto masa nuk e zgjidhin problemin e banimit të papërballueshëm, pasi zbritja prej 20 për qind nuk i bën automatikisht banesat të arritshme për shumicën e familjeve të reja.
„Edhe me zbritjen e paralajmëruar prej 20 për qind, një banesë që kushton 3.000 euro për metër katror do të kushtonte 2.400 euro. Për një pjesë të madhe të familjeve të reja, edhe ky çmim mbetet i papërballueshëm“, theksojnë nga DOM.
Partia ngre pikëpyetje edhe për lirimin nga taksat komunale për ndërtimin e shtëpive, duke argumentuar se pa tokë ndërtimore me çmim të përballueshëm, infrastrukturë dhe mjete të konsiderueshme financiare personale, kjo mundësi mbetet e paarritshme për shumicën e çifteve të reja.
DOM: Të aktivizohen banesat e zbrazëta, jo vetëm të ndërtohen të reja
Në qendër të kritikave të DOM-it është fakti se vendi ka një numër të madh banesash të pashfrytëzuara. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave nga regjistrimi i fundit i popullsisë, në Maqedoninë e Veriut janë gjithsej 839.174 banesa. Prej tyre, 63,4 për qind janë të banuara, ndërsa në 36,6 për qind nuk është evidentuar banim.
Kjo do të thotë se më shumë se një e treta e fondit të banesave në vend figuron si e pabanuar.
DOM propozon një politikë tjetër të banimit, e cila do të përfshinte:
- Tatim më të lartë për banesat që qëndrojnë bosh për periudha të gjata.
- Lehtësime tatimore për pronarët që ua japin me qira banesat të rinjve dhe familjeve të reja me çmime të përballueshme.
- Rregullimin e tregut të qiradhënies dhe mbrojtje më të madhe për qiramarrësit.
- Subvencionimin e një pjese të qirasë për të rinjtë.
- Krijimin e një Fondi për Banimin e Përballueshëm, përmes rinovimit dhe shfrytëzimit të objekteve shtetërore dhe komunale të pashfrytëzuara.
- Kufizimin e betonizimit të tepruar dhe planifikim urbanistik që garanton hapësira të gjelbra dhe cilësi më të mirë të jetesës.
Nga DOM kërkojnë gjithashtu që Qeveria të bëjë të ditur sa banesa qëndrojnë bosh për vite me radhë dhe çfarë masash do të ndërmerren për t’i kthyer ato në funksion të qytetarëve.
Çmimet e banesave vazhdojnë të rriten
Ndërkohë, të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se çmimet e banesave në Shkup vazhdojnë të shënojnë rritje. Në tremujorin e tretë të vitit 2026, norma vjetore e ndryshimit të indeksit të çmimeve të banesave arriti në 10,3 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
DOM vlerëson se suksesi i politikës së banimit nuk duhet të matet me numrin e metrave katrorë të ndërtuar rishtazi, por me numrin e të rinjve që arrijnë të sigurojnë një banesë dinjitoze dhe të përballueshme.
Debati kështu mbetet mes dy qasjeve: Qeveria synon të lehtësojë blerjen e banesave të reja përmes zbritjeve dhe lirimeve nga taksat, ndërsa DOM kërkon që fillimisht të vihet në funksion fondi ekzistues i banesave dhe të krijohen alternativa më të përballueshme të banimit.
Flaka















