Sulmi ndaj mjekut dhe infermieres në Shkup, reagojnë institucionet shëndetësore: Kërkohet siguri më e madhe
Sulmi ndaj një mjeku dhe një infermiereje të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, para poliklinikës „Jane Sandanski“ në Shkup, ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e punonjësve shëndetësorë. Sipas kallëzimit, autorë të sulmit dyshohet se janë babai dhe djali i tij.
Dhoma e Mjekëve e dënoi ashpër incidentin, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet kompetente që rasti të zbardhet urgjentisht dhe autorët të marrin dënimin e merituar.
„Kërkojmë që Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet kompetente të drejtësisë ta zbardhin plotësisht rastin dhe autorët t’i sanksionojnë në mënyrën më të rreptë, në përputhje me dispozitat ligjore, sipas të cilave sulmi ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë ushtrimit të detyrës profesionale trajtohet si vepër penale – sulm ndaj personit zyrtar, për të cilën parashihet edhe dënim me burg deri në pesë vjet“, thuhet në reagimin e Dhomës së Mjekëve.
Reagim pati edhe nga Shoqata e Mjekëve dhe Specializantëve, e cila i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të iniciojë ndryshime ligjore për rritjen e sigurisë së punonjësve shëndetësorë në vendet e tyre të punës.
Nga kjo shoqatë kërkojnë që sigurimi fizik të bëhet i detyrueshëm në të gjitha institucionet shëndetësore në vend, duke theksuar se mbrojtja e personelit mjekësor duhet të trajtohet si prioritet dhe jo vetëm pas ndodhjes së incidenteve.
Sulmin e dënoi edhe Unioni i Infermierëve „Za nas“, nga ku kërkuan zbardhjen e plotë të rastit dhe marrjen e masave ligjore ndaj përgjegjësve. Njëkohësisht, ata u bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore të ndërmarrin masa konkrete dhe sistematike për garantimin e sigurisë së personelit mjekësor.
Sipas një ankete të realizuar në vitin 2022, mbi 70 për qind e mjekëve në Maqedoni ishin përballur me dhunë fizike ose verbale në vendin e punës. Rreth 80 për qind e tyre kishin përjetuar dhunë verbale, ndërsa 6.8 për qind dhunë fizike.
Me ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, sulmi ndaj personelit mjekësor gjatë ushtrimit të detyrës trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar, për të cilin parashikohen sanksione penale.















