23 VJET NGA MARRËVESHJA E OHRIT: Përvjetor i ndarë në dysh!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Gusht, 2024 20:17

23 VJET NGA MARRËVESHJA E OHRIT: Përvjetor i ndarë në dysh!

Analisti Petar Arsovski, për gazetën KOHA, deklaroi se gjëja më e mirë ishte që Marrëveshja e Ohrit të festohet së bashku të gjithë pasi është e arritur shtetërore e të gjithë faktorëve politikë

Njëzetetre vjet më parë, më 13 gusht, 2001, u nënshkrua Marrëveshja kornizë e Ohrit, përmes së cilës iu dha fund konfliktit të armatosur, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Ky dokument për bazë ka zhvillimin e shtetit mbi parime të bashkëjetesës dhe barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.Që nga ajo ditë deri më sot janë zhvilluar situata të ndryshme politike dhe vendi ka kaluar kriza nga më të llojllojshmet. Shënimi i kësaj dite viteve të fundit është shënuar herë me konferencë dhe herë me koncerte me këngëtarë nga estrada shqiptare. Por këtë vit organizim për shënimin e kësaj dite ka paralajmëruar Qeveria por edhe me një organizim tjetër paralel partia opozitare BDI.

Arben Taravari nga VLEN ka komentuar manifestimin e nesërm të BDI-së për përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Taravari tha se manifestimin shtetëror e organizon qeveria dhe se BDI është e mirëseardhur dhe e ftuar në ngjarjen që e organizon ekzekutivi.

“Gjithnjë prej BDI-së ka pasur tendencë që disa ngjarje t’i privatizojnë. Dmth unë mendoj se nuk mund ta pranojnë ende se ata janë opozitë dhe dalë-ngadalë duhet të jenë mysafirë te ata që e organizojnë ngjarje për Marrëveshjen e Ohrit, por sidoqoftë, ne nuk mundemi t’ia ndalojmë që të organizojnë ‘party private’ apo manifestime private, por manifestimin shtetëror e organizojnë partitë të cilët janë në pushtet. Ata janë të mirëseardhur”, tha Taravari.

Bashkimi Demokratik për Integrim e quan ofendues faktin që një putinist i përbetuar, një mos-njohës i pavarësisë së Republikës së Kosovës si Ivan Stoilkoviq, është zëvendëskryeministër dhe ministër përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit edhe pse të njëjtën as që e njeh dhe as që e respekton. “Si pasojë, buxheti për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit është zvogëluar me vendim të qeverisë monoetnike dhe aminin e vasalëve puthadorë të cilët kanë okupuar institucionet e shtetit pa legjitimitetin e votuesit shqiptar, por me preferencë të VMRO DPMNE-së si në kohërat e monizmit dhe të Millosheviqit. BDI nuk mund të qëndron duarkryq kur shqiptarët dhe të tjerët po poshtërohen çdo ditë dhe kur çdo e arritur në drejtim të barazisë po zhbëhet. Prandaj dhe kemi angazhuar autorin e Marrëveshjes së Ohrit Paul Uilliams dhe ekipin e tij pranë PILPG për të hartuar platformë ligjore mbi legjitimitetin, me ç’rast drafti i parë tashmë është dorëzuar dhe do të shqyrtohet në kuadër të Frontit Evropian e më pas edhe në publik me botën akademike, organizatat joqeveritare, mediat, qytetarët. Manifestimi qendror për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit mbahet nesër, e martë, 13 gusht 2024, me fillim në ora 12:00 në hotelin Aleksandar Palas në Shkup”, shprehen nga BDI.

Analisti Abedin Ismaili, për gazetën KOHA, ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit, këtë vit shqiptarët i gjen më të bashkuar pasi që në zgjedhjet e 8 majit shqiptarët ishin të ndarë vetëm në dy tabore politike dhe kjo është për t’u përshëndetur. Sipas tij, nëse flasim për festimin e Marrëveshjes së Ohrit, është për t’u përshëndetur që këtë vit organizimi do të bëhet nën kujdesin e  Qeverisë dhe jo nën kujdesin e Sekretariatit që ka qenë deri më tani.

“Ndarja e buxhetit është çështje diskutabile pasi që tani nuk festohet me këngë dhe valle dhe qytetarët nuk kanë nevojë për folklorizma patetikë, por për punë reale dhe konkrete që ndryshon edhe mirëqenien e tyre sociale. MO ka zgjidhur shumë probleme të shqiptarëve në vend përfshijë edhe statusin e shqiptarëve në RMV. Por ende nuk është përmbyllur ky cikël dhe prandaj duhet të punohet edhe më shumë për të arritur barazinë e plotë. Nga ana tjetër, tentimi i BDI-së, për ta festuar MO-në është qartësisht një sinjal se këtij subjekti politik jetëgjatësia në pushtet i ka krijuar komoditetin për të personalizuar edhe shënimin e datave të rëndësishme, përfshijë këtu edhe festimin e Ditës së Alfabetit apo datave tjera të rëndësishme për shqiptarët”, ka deklaruar Ismaili.

Nga ana tjetër, analisti Petar Arsovski, për gazetën KOHA, deklaroi se gjëja më e mirë ishte që Marrëveshja e Ohrit të festohet së bashku të gjithë pasi është e arritur shtetërore e të gjithë faktorëve politikë. Ai shtoi se do të kishte qenë problem nëse qeveria nuk do ta kishte ftuar BDI-në në festimin shtetëror të Marrëveshjes së Ohrit, por deri sa është ftuar nga BDI është dashur të respektohet. “BDI Marrëveshjen e Ohrit gjithnjë e ka konsideruar si arritje të saj dhe e ka monopolizuar si festë, por që tani nuk është pjesë e qeverisë i takon pjesës tjetër të organizoj festimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ky vrapim për të shënuar këtë ditë bëhet me qëllim të tregohet se kush angazhohet më shumë për shqiptarët”, deklaroi Arsovski.

Ndryshe, bisedimet në nivel ekspertësh dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit – ku drejtpërdrejt u përfshinë edhe ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa – u mbajtën në Ohër për dhjetë ditë me radhë, prandaj edhe Marrëveshja e Ohrit mori këtë emërtim. Megjithatë, dokumenti kornizë – që i dha fund konfliktit të armatosur gjatë vitit 2001 – u nënshkrua më 13 gusht në Shkup nga presidenti i atëhershëm maqedonas, Boris Trajkovski si dhe liderët e partive kryesore politike: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Kjo marrëveshje u nënshkrua në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë: François Leotard dhe James Perdiue. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Gusht, 2024 20:17