RMV: 11 raste të reja me HIV/AIDS gjatë korrikut, shumica meshkuj
Gjatë muajit korrik në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 11 raste të reja me HIV/AIDS, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se numri kumulativ i personave të regjistruar me HIV/AIDS që nga viti 1987 ka arritur në 765.
Sipas buletinit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik për lëvizjen e sëmundjeve akute infektive, nga 11 rastet e reja të raportuara gjatë korrikut, 9 janë meshkuj dhe 2 femra, të moshës nga 20 deri në 49 vjeç.
Të dhënat për periudhën 1987–2026 tregojnë se në vend janë regjistruar gjithsej 765 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 141 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 508 jetojnë me HIV/AIDS. Për 116 persona, sipas të dhënave të raportuara, ka humbur ndjekja.
Krahas rasteve të reja me HIV/AIDS, gjatë korrikut janë regjistruar edhe raste të tjera të infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe infeksioneve që transmetohen përmes gjakut.
Sipas buletinit, janë raportuar 7 raste të sifilizit dhe 4 raste të hepatitit viral B, ndërsa janë evidentuar edhe nga një rast i gonorresë, klamidias dhe hepatitit viral C.
Të dhënat e reja rikthejnë vëmendjen te nevoja për informim, parandalim, testim dhe diagnostikim të hershëm të infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe atyre që transmetohen përmes gjakut.
















