Morën automjetin e komunës dhe shkuan për të shuar zjarrin, në fund e dogjën automjetin dhe disa u lënduan
Disa qytetarë të Maqedonisë së Veriut kishin marrë pjesë në shuarjen e zjarrit në fshatin Bukoviq të Pehçevës, por në fund ata e dogjën automjetin e marrë nga komuna, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua, transmeton Portalb.mk.
“Në RPB në Berovë, ishte raportuar se në fshatin Bukoviq, Pehçevë, ku ishte intervenuar për shuarjen e zjarrit malor, komplet ishte djegur furgoni me tabela të Pehçevës”, raportoi Policia.
Policia sqaroi që ky automjet ishte pronë e Komunës së Pehçevës, e cila ishte dhuruar te qytetarët vullnetarë që kishin marrë pjesë në shuarjen e zjarrit.
“Gjithashtu ishte raportuar se gjatë kohës së shuarjes së zjarreve, pesë vullnetarë kanë thithur tym dhe kanë pësuar lëndime, për çka i është dhënë ndihmë nga Ndihma e Shpejtë Mjekësorë Pehçevë”, sqaroi Policia.
Qendra për Menaxhimin me Kriza ka raportuar që gjatë ditës së djeshme (11 gusht) në ambiente të hapura ka pasur gjithsej 45 zjarre, prej të cilave 10 janë aktualisht aktive, 3 janë nën kontroll dhe 32 janë shuar.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut prej një kohe të gjatë është duke luftuar me zjarre të mëdha pyjore që shkaktojnë dëme të mëdha. Për shkak të zjarrit në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize për 30 ditë dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.
Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.