Qeveria shënoi 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Mickoski e Mexhiti me porosi politike
Qytetarët të mos bien pre e temave etnike të partive që tani janë në opozitë kurse kohën në pushtet e shfrytëzuan për pasurim personal, bëri thirrja kryeministri Hristijan Mickoski në seancën solemne të qeverisë për të shënuar 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Mickoski tha se për disa parti politike Marrëveshja e Ohrit është më e mira dhe zbatohet vetëm kur janë në pushtet kurse menjëherë sapo të jenë në opozitë, shtoi ai, shpikin kritika dhe zgjidhje kreative për plotësimin e saj. Mickoski tha se problemet për të gjithë qytetarët pa dallim etnik në vend, mbeten të njëjta.
“Gjatë kohë, elita të caktuara politike Marrëveshjen e Ohrit dhe të drejtat etnike i shfrytëzojnë si mbulesë për interesat e tyre zakonisht fitimprurëse. Është fakt se temat etnike gjatë kohë dhe në mënyrë intensive keqpërdoren, ndërtohen karriera në emër të tyre kurse jeta reale, jeta e atyre që njësoj ndajnë përditshmërinë është gjithmonë e më e vështirë dhe më e palumtur. Në njëzet vitet e fundit nga disa ekspertë kam marrë informacionin se më shumë se 100 mijë shqiptarë e kanë lëshuar vendin. Nëse këtyre 100 mijë shqiptarëve ua shtoni edhe qindra mijëra qytetarë të tjerë atëherë do ta kuptoni se çfarë ka ndodhur në njëzet vitet e fundit”. tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Në seancën solemne fjalën e mori edhe zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti i cili tha se qeveria do të vazhdojë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe detyrimeve që dalin prej saj, siç është decentralizimi. Ndërkohë në një ngjarje për të njëjtën temë më herët gjatë ditës, Mexhiti tha se Marrëveshja e Ohrit nuk i garanton asnjë partie qëndrimin e përhershëm në pushtet.
“Ditëve të fundit është ringjallur tema e Marrëveshjes së Ohrit, por për fat të keq, jo në dritën e saj pozitive por më tepër si instrument për manipulimin e opinionit… Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje për shtetin – nuk është marrëveshje për pjesëmarrjen në pushtet të një partie politike përjetësisht. Periudha përpara nesh do të jetë periudhë në të cilën ne do të hapim një etapë të re të politikës dhe politikëbërjes. Maqedonia e Veriut, nga një shtet / shoqëri me marrëveshje, do të avancojë drejt një shoqërie të ‘marrun vesh’…”, theksoi Izet Mexhiti, zv/kryeministër i parë.
Një shënim solemn për 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit ka edhe në mbrëmje, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore./Alsat.mk