Milani në sulm me patjetër, por ka shumë mungesa. Sfidë jetike ndaj holandezëve në Champions
Skualifikimi i Musah dhe zgjedhjet për listën e UEFA-s kanë zbrazur mesfushën e Milanit. Kështu, Conceição praktikisht nuk ka alternativa dhe kundër Feyenoord-it, në ndeshjen e parë të “play off”-it të Champions League, do të duhet pothuajse me siguri të ripropozojë “Fab4”. Fjala është për katërshen fantastike që shkëlqeu kundër Empolit dhe i bëri tifozët kuqezinj të ëndërrojnë.
Përveç ndonjë surprize të papritur, si aktivizimi i Terracciano nga minuta e parë përkrah Fofana, ose në krah, formacioni duket i qartë: Walker, Tomori, Pavlovic dhe Theo në mbrojtje; Fofana dhe Reijnders në mesfushë; Pulisic, Joao Felix dhe Leao pas Gimenez, si sulmues i vetëm.
Ky Milan duhet të jetë agresiv dhe të përpiqet ta zgjidhë sa më shpejt ndeshjen. Një rrezik që, më shumë sesa i llogaritur, është i pashmangshëm, duke pasur parasysh edhe faktin se nuk ka shumë mundësi për ta menaxhuar ndeshjen me zëvendësime cilësore, siç ndodhi kundër Empolit. Gjithashtu, ekziston shqetësimi për të gjetur një ekuilibër që vetëm përkushtimi i sulmuesve mund ta garantojë.
Siguria e vetme, nëse mund të flasim për një siguri, është se në Rotterdam, Milani do të luajë shumë. Një formacion kaq i hapur taktikisht mund ta ekspozojë skuadrën ndaj rreziqeve në fazën mbrojtëse, por nga ana tjetër, pritet të garantojë një rrezikshmëri të lartë në sulm.
Çfarë do të kërkojë Conceição nga skuadra e tij? Duke marrë parasysh se Feyenoord luan në shtëpi dhe se pak ekipe në Europë zgjedhin të mbrohen fort, është e mundur që trajneri portugez t’iu kërkojë lojtarëve të tij të presin dhe të kundërsulmojnë. Mbrojtja me të gjithë lojtarët poshtë vijës së topit, pa detyruar Leao apo Pulisic të bëjnë lëvizje që nuk iu përshtaten, dhe përdorimi i kundërsulmeve si arma kryesore, mund të jetë strategjia e zgjedhur.
Seanca e sotme stërvitore, përpara udhëtimit të nesërm drejt Holandës, do t’i ndihmojë Conceiçãos të qartësojë idetë dhe të vendosë sesi ta përballojë Feyenoord-in. Kjo është një ndeshje “brenda ose jashtë”, që peshon shumë për vazhdimësinë e sezonit, për financat e klubit dhe moralin e skuadrës, e cila, pas fitoreve ndaj Romës dhe Empolit, duket se është ringritur psikologjikisht.
Është koha për të treguar forcën edhe në Europë, ndaj askush më mirë se “Fab4” nuk mund ta bëjë këtë ndaj çdo kundërshtari.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
















