Zgjedhjet në Gjermani, shqetësim emigracioni dhe kostoja e jetesës

Tina Baliu
Botuar nga Tina Baliu 19 Shkurt, 2025 18:30

Zgjedhjet në Gjermani, shqetësim emigracioni dhe kostoja e jetesës

Gjermania pritet të mbajë zgjedhjet të dielën, ndërsa shqetësimet kryesore të votuesve, janë emigracioni dhe kostoja e jetesës. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, kandidati kryesor për të qenë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë ka akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhje.

Hartmut Kuether u rrit në ish-Gjermaninë Lindore dhe ndërtoi një biznes të suksesshëm në zdrukthëtari pas ribashkimit të Gjermanisë. Për dekada me radhë, ai votoi për Kristian Demokratët e qendrës së djathtë.

Vota e tij ndryshoi në vitin 2015, kur kancelarja e atëhershme Angela Merkel lejoi hyrjen në vend të mbi 1 milion emigrantëve. Zoti Kuether tani është anëtar i partisë që kundërshton emigracionin, Alternativa për Gjermaninë ose ndryshe AfD-së.

“Problemi ishin njerëzit me ngjyrë, të cilët nuk ishin të mirë, të sjellshëm, që nuk ishin ashtu siç doja unë. Duhet treguar pak konsideratë dhe ata nuk e bëjnë fare këtë”, thotë ai.

Partia Alternativa për Gjermaninë po përfiton nga zhgënjimi i votuesve lidhur me emigracionin. Në anketimet përpara zgjedhjeve të së dielës, ajo renditet e dyta, me 21 për qind të mbështetjes.

“Unë mbështes ndalimin e emigracionit të paligjshëm”, u shpreh bashkëkryetarja e partisë Alternativa për Gjermaninë.

Ndërkohë, një seri sulmesh terroriste në Gjermani, i fundit në Mynih të premten, ka intensifikuar më tej debatin mbi emigracionin.

AfD-ja ka fituar mbështetjen e biznesmenit miliarder Elon Musk, aleat i rëndësishëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Por retorika e kësaj force politike ka nxitur reagime tek shumë gjermanë. AfD-ja po mbikqyret nga shërbimet e brendshme të zbulimit nën dyshimet se është organizatë ekstremiste. Protesta kundër së djathtës së skajshme janë mbajtur në Berlin dhe në qytete të tjera të Gjermanisë.

“Më duket absolutisht shqetësuese që racizmi dhe komunikimi i krahut të djathtë po shndërrohen në një normë”, tha protestuesja Antje Marta.

Emigracioni po mbizotëron fushatën zgjedhore, thotë analistja Sarah Wagner.

“Kjo është çështja kryesore që po vërejnë votuesit dhe që do të ndikojë votën e tyre. Ka të ngjarë që çështja e dytë më me rëndësi është gjendja e ekonomisë. Njerëzit po përballen me një krizë të kostos së jetesës më tepër se sa në zgjedhjet e fundit në 2021”, thotë analistja Wagner.

Trysnitë ekonomike çuan në rënien e qeverisë së koalicionit tre-partiak në nëntor.

Kancelari aktual Olaf Scholz, i Social Demokratëve, dëshiron të rrisë huamarrjen si mekanizëm ndaj deficitit buxhetor, si dhe për të ndihmuar financimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Friedrich Merz, udhëheqësi i Kristian Demokratëve, të cilët kryesojnë anketimet me 29 për qind, thotë se vendi nuk duhet të marrë më shumë hua.

“Ekonomia e Republikës Federale të Gjermanisë tani po renditet pas shteteve të tjera të Bashkimit Europian. Jemi të fundit”, thotë ai.

Zoti Merz ka të ngjarë të mos sigurojë shumicën qeverisëse, por ka përjashtuar mundësinë e krijimit të koalicionit me AfD-në e së djathtës së skajshme.

Një gjë e tillë nxiti kritikat e Nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara JD Vance, i cili u tha përfaqësuesve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të premten, se “zëri i njerëzve ka rëndësi”.

Udhëheqësi i Kristian Demokratëve Merz e akuzoi zotin Vance për ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani.

Tina Baliu
Botuar nga Tina Baliu 19 Shkurt, 2025 18:30
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.