Frenkie De Jong flet hapur: Dua të rinovoj me Barcelonën, por ky nuk ishte sezoni im më i mirë
Mesfushori i Barcelonës dhe i përfaqësueses së Holandës, Frenkie De Jong, ka dhënë një intervistë për Voetbal International, ku foli hapur për të ardhmen e tij me “Blaugranët”, si dhe për sezonin që sapo u mbyll.
Kontrata aktuale e De Jong me Barcelonën skadon në qershor të vitit 2026, por lojtari ka shprehur qartë dëshirën për të qëndruar më gjatë në “Camp Nou”:
“Rinovimi? Unë dhe klubi e duam, dhe kur kjo ndodh, zakonisht arrijmë një marrëveshje. Shpresoj që të vijë së shpejti.”
I pyetur për performancat e tij gjatë këtij sezoni, holandezi pranoi se nuk ishte në formën më të mirë, por theksoi se mungesat për shkak dëmtimi ndikuan ndjeshëm.
“Nuk mendoj se ishte viti im më i mirë. Njerëzve u pëlqen ta ekzagjerojnë. Sigurisht, isha jashtë fushës për një kohë të gjatë për shkak të dëmtimit në kyçin e këmbës, por kam pasur edhe ndeshje të mira. Mendoj se sezoni para dëmtimit ishte më i miri për mua.”
De Jong shtoi se përmirësimi i skuadrës ka ndikuar në nivelin e përgjithshëm të Barcelonës:
“Tani kemi një ekip më të mirë dhe kjo duket. Kur fiton të gjitha titujt në Spanjë dhe arrin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, thjesht bie më shumë në sy.”
Për momentin, mesfushori është i përqendruar te Kampionati Evropian me Holandën, por nuk përjashtohet që bisedimet për rinovimin me Barcelonën të rifillojnë menjëherë pas turneut.
Flaka
















