Barça rifillon negociatat për Nico Williams
Barcelona po rifiton terren në garën për Nico Williams. Ylli i Athletic Bilbaos është i gatshëm të ulë kërkesat financiare për të realizuar ëndrrën e veshjes së fanellës blaugrana.
Sipas mediave spanjolle, sulmuesi i Spanjës ka pranuar të njëjtën shumë bruto që u diskutua me Barçën një vit më parë – një gjest që tregon mbështetje për projektin e ri të Hansi Flick.
Të premten, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, u takua me agjentin e lojtarit, Félix Tainta në qytet, takim që sinjalizon ringjalljen e negociatave. Pak orë më vonë, një foto me Lamine Yamal dhe Nico Williams ka rritur entuziazmin në rrjetet sociale.
Bayern e Arsenal nuk dorëzohen
Megjithatë, konkurrenca është e fortë. Bayern Munich po e sheh Nico Williams si zëvendësues për Leroy Sané dhe Thomas Müller, ndërsa drejtori sportiv Max Eberl pritet të veprojë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.
Në garë qëndron edhe Arsenali, ndërsa Barcelona po shqyrton gjithashtu një alternativë – Luis Díaz i Liverpoolit – nëse marrëveshja me Nico-n dështon.
Athletic Bilbao nga ana tjetër po përpiqet ta blindojë lojtarin me kontratë të re, por pas takimit të fundit në Barcelonë, klubi katalanas ka një derë të hapur që nuk e kishte më parë.
Flaka
















