Traversa i mohon Messit golin – barazim pa gola në hapje të Kupës së Botës për Klube
Lionel Messi ishte pranë një goli spektakolar në minutat shtesë, por traversa dhe portieri i Al Ahly-t, Mohamed Elshenawy, i mohuan fitoren Inter Miamit në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube, e cila përfundoi pa gola.
Përballja u zhvillua në stadiumin “Hard Rock” përpara 60 mijë tifozëve, në orët e para të mëngjesit të së dielës. Messi, fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë, rrezikoi në minutën e 96-të me një gjuajtje nga distanca, por topi u ndal në traversë pas një pritjeje të jashtëzakonshme të Elshenawy-t.
Ylli argjentinas kishte goditur edhe shtyllën në minutën e 60-të nga një goditje dënimi, ndërsa skuadra amerikane shpëtoi nga disavantazhi në fund të pjesës së parë falë pritjes vendimtare të portierit Oscar Ustari ndaj penalltisë së Trezeguet.
Veterani argjentinas u tregua vendimtar edhe në momentin pas penalltisë, duke ndalur përpjekjen e dytë të sulmuesit egjiptian.
Al Ahly, skuadra më e suksesshme afrikane me 12 tituj kontinentalë, dominoi në pjesën e parë, por Inter Miami reagoi në të dytën, ku Messi mori më shumë kontroll dhe krijoi disa momente të rrezikshme.
Të dyja skuadrat do ta kenë të vështirë të kalojnë më tej nga Grupi A, ku ndodhen gjithashtu Palmeiras nga Brazili dhe Porto nga Portugalia. Vetëm dy të parat avancojnë në fazën tjetër.
Flaka
















