Gattuso drejt stolit të Italisë – Buffon konfirmon: Marrëveshja është gati
Kombëtarja e Italisë do të ketë një fytyrë të re në pankinë, dhe ajo është një emër mjaft i njohur për tifozët italianë: Gennaro Gattuso. Lajmin e ka konfirmuar vetë menaxheri i kombëtares, Gigi Buffon, i cili tha se marrëveshja është thuajse finalizuar dhe se janë vetëm disa detaje të vogla që ndajnë Gattuson nga zyrtarizimi.
“Kemi punuar, tani po presim vetëm disa detaje të fundit. Presidenti dhe Federata kanë pasur ditë intensive. Në fund, besoj se kemi marrë vendimin më të mirë të mundshëm,” u shpreh Buffon për RAI Sport.
Italia mbeti pa trajner pas largimit të Luciano Spallettit, i cili u shkarkua pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Norvegjisë, ndonëse vetëm pak ditë më parë kishte arritur fitore ndaj të njëjtit kundërshtar me rezultatin 2-0.
Për të konkretizuar marrëveshjen, janë mbajtur takime mes Gattusos dhe drejtuesve të FIGC-së, përfshirë edhe Buffonin dhe presidentin Gabriele Gravina.
Fillimisht, Claudio Ranieri ishte kandidati kryesor për stolin e “Azzurrëve”, por ai e kishte refuzuar këtë rol, duke preferuar një pozitë më simbolike te Roma dhe duke shpallur largimin nga trajnimi aktiv. Në listën e kandidatëve përmendeshin gjithashtu Stefano Pioli, Daniele De Rossi dhe Fabio Cannavaro, por Gattuso u bë shumë shpejt favoriti absolut.
Buffon theksoi se objektivi i ri është shmangia e paraqitjeve të turpshme dhe rikthimi i krenarisë në ekipin kombëtar:
“Ka mënyra të ndryshme për të humbur, por me disa rregullime të vogla, mund të shmangim më të keqen. E rëndësishme është të rikthejmë dinjitetin e fanellës blu.”
Italia rikthehet në fushë më 5 shtator në sfidën ndaj Estonisë, e ndjekur nga përballja me Izraelin më 8 shtator, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Flaka
















