Makfire Shaqiri Iseini reagon ndaj Yllka Nuredinit: “Mos na jepni leksione për parime, populli i sheh të gjitha”
Makfire Shaqiri Iseini, këshilltare në Qytetin e Shkupit dhe anëtare e Aleancës për Shqiptarët, ka reaguar ndaj deklaratave të Yllka Nuredinit, duke e akuzuar atë për nepotizëm dhe privilegje familjare.
“Zonjushë, para se të na kritikosh neve se ‘u shitëm’, shiko pak rreth vetes. Ju që flisni për parime, sot jeni shembulli më i pastër i nepotizmit dhe privilegjit familjar. Punësimet e njëpasnjëshme të familjes suaj, nga babai drejtor e deri tek motra 18-vjeçare në Ministrinë e Shëndetësisë, tregojnë qartë se kush është shitur dhe për çfarë,” tha Shaqiri Iseini.
Ajo shtoi se Aleanca për Shqiptarët nuk ka pranuar poste e privilegje, ndryshe nga ata që i kanë marrë.
“Ne nuk pranuam poste e privilegje, i lamë ato sepse nuk pranojmë të jemi vegël e askujt. Ndërsa ju i morët – dhe sot flisni për moral e tradhti,” theksoi ajo.
Në reagimin e saj, këshilltarja e ASH-së theksoi se tradhtia është aty ku shitet kauza për interesa personale.
“Tradhtia nuk është tek ne, por tek ata që për një vend pune shesin kauzë, shesin besim, e e kthejnë shtetin në pronë familjare. Prandaj, mos na jepni leksione për parime. Populli i sheh e i di të gjitha,” përfundoi Shaqiri Iseini. Flaka Media
















