LSDM akuzon Mickoskin e Stoilkoviqin, VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet, BDI godet VLEN-in
Akuzat për ndikimin serb përplasin partitë politike në Maqedoninë e Veriut. LSDM e cilëson Mickoskin dhe Stoilkoviqin si “zbatues të agjendës së Vuçiqit”, VMRO-DPMNE akuzon opozitën për hipokrizi, ndërsa BDI thotë se “Bota Serbe” ka depërtuar në institucionet e vendit. VLEN dënon glorifikimin e Mlladiqit dhe kërkon përgjegjësi institucionale.
Një përplasje e ashpër politike është zhvilluar sot në Maqedoninë e Veriut për ndikimin e Serbisë në vend dhe të ashtuquajturën “Botë Serbe”, me partitë kryesore që kanë shkëmbyer akuza për bashkëpunim, ndikim dhe përfshirje në agjenda politike të lidhura me Beogradin.
Përplasja u intensifikua pas reagimeve ndaj glorifikimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, nga drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, si dhe nga subjekti politik i ministrit Ivan Stoilkoviq.
LSDM: Mickoski dhe Stoilkoviqi janë zbatues të agjendës së Vuçiqit
Nga LSDM akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, se po zbatojnë, sipas tyre, veprimtari hibride të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Ballkan.
Opozita pretendon se Maqedonia e Veriut, nën udhëheqjen e Mickoskit, po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e një politike që e largon vendin nga Bashkimi Evropian dhe e afron me modele autoritare dhe ndikime lindore.
“Siç kemi thënë tashmë prej muajsh, Mickoski po bën ‘copy-paste’ të gjithçkaje që Vuçiq dhe partia simotër SNS bëjnë në Serbi”, deklaruan nga LSDM.
Partia opozitare përmendi edhe zhvillimet rreth mediave, mënyrën e komunikimit politik dhe figurën e Ivan Stoilkoviqit, duke pretenduar se ai në Maqedoninë e Veriut po vepron në funksion të agjendave kineze dhe ruse.
Në këtë kontekst, LSDM i referohet edhe qëndrimeve të Stoilkoviqit ndaj Ratko Mlladiqit dhe deklaratave të tij të mëhershme për Srebrenicën.
“Stoilkoviqi në Maqedoni hapur punon në agjendën kineze dhe ruse. I ofendon deputetët në Kuvend dhe e glorifikon Ratko Mlladiqin”, thanë nga LSDM.
Sipas tyre, të gjitha këto zhvillime janë pjesë e së njëjtës fushatë politike.
“Kjo është politikë e vetëdijshme e Mickoskit dhe grupit të tij kriminal për ta mbajtur Maqedoninë larg BE-së, në izolim, dhe më pranë forcave autoritare dhe ndikimeve lindore”, shtuan nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM po bën hipokrizi
VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë akuzat e LSDM-së, duke i cilësuar si hipokrite.
Nga partia në pushtet kanë kundërsulmuar duke përmendur emrin e Viktor Petrushevskit, ish-këshilltarit të Zoran Zaevit për vetëqeverisjen lokale dhe ish-kuadër të lartë të LSDM-së, të cilin e lidhin me një aferë të fundit të spiunazhit në një vend fqinj.
Sipas VMRO-DPMNE-së, në rastin për të cilin është ngritur aktakuzë përmendet edhe emri i Petrushevskit në kontekst të bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret serb BIA.
“Ndërsa, nga rasti i Petrushevskit shihet se kush është zbatues dhe bashkëpunëtor i shërbimeve serbe”, deklaruan nga VMRO-DPMNE.
Partia në pushtet përmendi edhe aktivitetet kulturore të disa komunave të udhëhequra nga LSDM, duke kritikuar organizimin e koncerteve me këngëtarë serbë.
Nga VMRO-DPMNE përmendën koncertet e Lepa Brenës në Kriva Pallankë dhe të Aco Pejoviqit në Makedonska Kamenicë, duke e përdorur këtë si kundërargument ndaj akuzave të LSDM-së për ndikimin serb.
Në reagimin e tyre, ata e akuzuan LSDM-në se po përdor standarde të dyfishta.
BDI: “Bota Serbe” ka depërtuar në strukturat politike dhe institucionale
Përplasja nuk u kufizua vetëm në bllokun maqedonas.
Nga BDI-ja e zhvendosën debatin në kampin shqiptar, duke akuzuar VLEN-in se po hesht përballë qëndrimeve të partnerëve të saj qeveritarë.
Sipas BDI-së, glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk është incident i izoluar, por pjesë e një politike më të gjerë të tolerancës ndaj narrativave serbe.
“Bota serbe”, sipas BDI-së, ka depërtuar në strukturat politike dhe institucionale të vendit.
Partia opozitare shqiptare e ka vënë në qendër të kritikave Ivan Stoilkoviqin dhe qëndrimet e tij për Srebrenicën.
“Ivan Stoilkoviq dhe partia e tij serbe kanë shfaqur vazhdimisht qëndrime të tilla, duke e quajtur masakrën e Srebrenicës ‘Disneyland nekrofil’”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, pikërisht një figurë me qëndrime të tilla është pjesë e Qeverisë, ndërsa një drejtues institucioni i zgjedhur nga pushteti është përfshirë në publikime që glorifikojnë Mlladiqin.
“Dhe çfarë bën VLEN-i? Sillet sikur të ishte organizatë joqeveritare apo parti opozitare”, akuzojnë nga BDI.
BDI pretendon se VLEN-i nuk mund të distancohet nga përgjegjësia politike përderisa është pjesë e Qeverisë.
“VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve”, thuhet në reagim.
VLEN: Glorifikimi i Mlladiqit është i papranueshëm
Pas reagimeve publike, edhe VLEN ka reaguar për rastin e Dalibor Kitanoviqit dhe publikimet në lidhje me Ratko Mlladiqin.
Nga VLEN kanë dënuar çdo glorifikim të figurave çetnike dhe në veçanti të Mlladiqit.
“Akkoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas tyre, rasti nuk mund të arsyetohet si bindje personale, pasi bëhet fjalë për një zyrtar publik.
“Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve”, deklaroi VLEN.
Koalicioni kërkoi përgjegjësi të menjëhershme institucionale.
“Kush nuk respekton viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të jetë garant i të drejtave të komuniteteve”, thuhet në reagim.
Qeveria kërkon tërheqjen e qëndrimit të Kitanoviqit
Ndërkohë, Qeveria është distancuar nga qëndrimi i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq.
Nga Qeveria kanë deklaruar se qëndrimi i tij është personal dhe i papranueshëm dhe se nuk përfaqëson politikën zyrtare të ekzekutivit.
Qeveria ka kërkuar nga Kitanoviqi ta tërheqë qëndrimin e tij. Në rast se ai nuk pajtohet me politikën dhe qëndrimet e Qeverisë, nga ai pritet të japë dorëheqje nga funksioni.
Ky reagim e ka zhvendosur çështjen nga një debat politik në rrjetet sociale drejt një çështjeje konkrete të përgjegjësisë institucionale.
Nga Mlladiqi te “Bota Serbe” – debati merr dimension rajonal
Rasti i fundit ka rihapur një debat shumë më të gjerë në Maqedoninë e Veriut për ndikimin politik, kulturor dhe institucional të Serbisë në vend.
Në njërën anë, opozita maqedonase akuzon pushtetin për afrimin me modelin politik të Aleksandar Vuçiqit dhe për largimin nga rruga evropiane.
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet duke akuzuar LSDM-në për hipokrizi dhe duke përmendur figura dhe aktivitete që, sipas tyre, dëshmojnë lidhje dhe afërsi me Serbinë pikërisht në radhët e opozitës.
Ndërsa në kampin shqiptar, BDI e përdor rastin për të goditur VLEN-in dhe për të ngritur pyetjen nëse pjesëmarrja në Qeveri e bën atë bashkëpërgjegjës për qëndrimet e partnerëve të koalicionit.
Në qendër të gjithë kësaj përplasjeje qëndron një pyetje që tashmë ka dalë përtej kufijve të një postimi në rrjetet sociale: sa larg ka depërtuar ndikimi i narrativave të “Botës Serbe” në politikën dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje, megjithatë, nuk po kërkohet vetëm në deklaratat e partive politike, por edhe në mënyrën se si institucionet do të reagojnë ndaj zyrtarëve që publikisht promovojnë ose relativizojnë figura të dënuara për krime të rënda ndërkombëtare. Gazeta Flaka















