Osmani – Mekanizmat e rinj në Çair: Kontroll qytetar, përgjigje për 48 orë dhe stop kaosit urbanistik
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim në Çair, Bujar Osmani, sot ka prezantuar tre mekanizma të rinj për transparencë dhe kontroll qytetar: “Syri qytetar”, “Çair 48” dhe “Roja e ndërtimit”.
“Me ‘Syrin qytetar’ çdo banor i Çairit do të ketë mundësi të raportojë parregullsi, keqpërdorime dhe shkelje të ligjit në kohë reale. Qytetari do të bëhet pjesë aktive e kontrollit mbi pushtetin vendor,” tha Osmani.
Ai sqaroi se mekanizmi “Çair 48” do të funksionojë si një platformë digjitale dhe telefonike për zgjidhjen e kërkesave dhe ankesave të qytetarëve brenda 48 orëve.
“Ky është standard që do ta vendosim në komunë – përgjigje për çdo kërkesë të qytetarit në më pak se dy ditë,” theksoi ai.
Për mekanizmin “Roja e ndërtimit”, Osmani tha se është përgjigje ndaj kaosit urbanistik në komunë:
“Çairi nuk mund të jetë më peng i ndërtimit të egër. Me këtë mekanizëm, çdo shkelje ndërtimore do të evidentohet dhe ndalet me kohë, duke mos lejuar keqpërdorime nga investitorët apo nga pushteti,” deklaroi Osmani.
Sipas tij, këto tre mekanizma janë garanci se qytetari do të bëhet “kontrolluesi më i fuqishëm i komunës” dhe se Çairi do të udhëhiqet me transparencë dhe rregull. Flaka Media
















