Borrell me videomesazh nga Spanja: “Bujar Osmani, gati ta sjellësh Evropën në Çair”
Josep Borrell, ish-Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, ka dërguar një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për Bujar Osmanin, kandidat për kryetar të Çairit.
Në një videomesazh nga Santander, Spanjë, Borrell vlerëson arritjet e Osmanit në skenën ndërkombëtare si ministër i jashtëm dhe kryesues i OSBE-së, duke theksuar se tani ai është gati t’i shërbejë edhe bashkëqytetarëve të tij në nivel lokal.
“Bujar i dashur, ti e more zërin e popullit tënd në skenën ndërkombëtare. Tani je gati ta sjellësh të njëjtin përkushtim edhe në shtëpi, në rrugët dhe lagjet e Çairit”, – tha Borrell.
Ai kujton bashkëpunimin e ngushtë me Osmanin ndër vite dhe shprehet i impresionuar nga aftësia e tij për të dëgjuar, për të ndërtuar ura dhe për të gjetur zgjidhje. “Këto cilësi janë të domosdoshme jo vetëm në diplomaci, por edhe në udhëheqjen lokale”, thekson ish-diplomati i lartë.
Borrell nënvizon pritshmëritë e tij nga Osmani si kryetar i ardhshëm i Çairit:
“Evropa e njeh si lider që sjell rezultate. Besoj se edhe qytetarët e Çairit do ta njohin si kryetar që dëgjon, bashkon dhe sjell përparim për çdo qytetar.”
Sipas tij, përvoja evropiane e Osmanit është garanci që fondet dhe mundësitë e BE-së do të vijnë drejtpërdrejt në Çair – për infrastrukturë më të mirë, arsim më cilësor, vende të reja pune dhe shërbime më moderne për qytetarët. Flaka Media
















