MPB ndryshon rregullat: Tolerancë për shpejtësinë, zero tolerancë kur rrezikohet jeta
Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit ndryshime të reja në politikën e ndëshkimit për tejkalimin e shpejtësisë në komunikacion, duke vendosur një tolerancë të caktuar për shkeljet, por pa asnjë kompromis kur rrezikohet jeta e qytetarëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sqaroi se kjo tolerancë nuk do të vlejë në rastet kur tejkalimi i shpejtësisë përbën vepër penale, përkatësisht kur shoferi ka shkaktuar aksident trafiku ose ka lënduar persona të tjerë.
Duke u thirrur në statistika shqetësuese ndërkombëtare, Toshkovski theksoi se shpejtësia është faktori kryesor i fataliteteve në rrugë. Sipas tij, drejtimi me 60 kilometra në orë është pothuajse gjithmonë vdekjeprurës.
“Kur flasim për 60 km/h, pothuajse nuk kemi asnjë të mbijetuar. Nga 10 persona të goditur, kemi 10 të vdekur. Me 50 km/h, mbijetojnë vetëm dy, ndërsa me 30 km/h, tetë nga dhjetë persona shpëtojnë”, deklaroi ministri.
Ai paralajmëroi edhe rishikimin e sinjalistikës rrugore, sidomos në zonat ku ka mospërputhje mes shenjave të komunikacionit dhe matjeve të kamerave. Toshkovski pranoi se ekzistojnë raste kur shenja lejon 70 km/h, ndërsa gjoba shqiptohet për shpejtësi mbi 50 km/h, duke nënvizuar se kjo situatë do të korrigjohet.
“Ku do të ketë kamera, paraprakisht do të rishikohen të gjitha shenjat e trafikut. Kjo po bëhet në koordinim mes MPB-së, Ministrisë së Transportit dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë”, tha Toshkovski.
Sa i përket ankesave të qytetarëve për gjoba që u dërgohen gabimisht, për shkak të parregullsive në të dhënat nga kontrolli teknik, ministri pranoi se problemi ekziston. Ai paralajmëroi hapjen e një pike të posaçme në Shkup, ku qytetarët do të mund të paraqesin dhe korrigjojnë gjobat e shqiptuara padrejtësisht.
Sipas MPB-së, masat e reja synojnë rritjen e sigurisë në komunikacion, uljen e numrit të aksidenteve dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e ndëshkimit rrugor.


















