Osmani: Ligji i ri për përfaqësim është i dobët dhe nuk e zëvendëson Balansuesin
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka kritikuar ashpër Propozim-Ligjin për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, duke vlerësuar se ai nuk mund të shërbejë si zëvendësim i Balansuesit dhe rrezikon të thellojë pabarazinë në administratë.
Sipas Osmanit, ligji i ri nuk është më i detyrueshëm, por vetëm orientues, nuk vepron automatikisht dhe varet nga vullneti i administratës. Ai thekson se mekanizmi i propozuar nuk bllokon vendimmarrjen kur shkelet përfaqësimi, por vetëm e regjistron shkeljen, duke vepruar ex post e jo ex ante.
“Ligji nuk krijon pasoja juridike të drejtpërdrejta për mosrespektim. Ai e zhvendos barazinë nga e drejtë kushtetuese në politikë publike, lejon interpretim, shtyrje dhe relativizim, dhe nuk garanton përfaqësim real, por vetëm menaxhim të përfaqësimit”, ka deklaruar Osmani.
Ai rikujton se Balansuesi funksiononte pikërisht sepse nuk linte hapësirë për improvizim. “Ky ligj krijon vetëm hapësirë. Dhe kur ligji krijon hapësirë, pabarazia gjithmonë e shfrytëzon”, thekson Osmani.
Në fund, ai bën thirrje që ligji të mos kalojë në formën aktuale, duke paralajmëruar pasoja serioze për parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore. Gazeta Flaka


















