Aksidenti tragjik ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku, Policia zbardh detajet nga ngjarja
Pas aksidentit të rëndë të ndodhur këtë të diel, ku si pasojë humbi jetën futbollisti i Elbasanit me origjinë nga Kosova, Fatjan Bunjaku, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka dalë me një reagim zyrtar ku ka bërë të ditura rrethanat e aksidentit.
Zëdhënësi ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 7 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Maxhunaj.
Ndërkohë, sipas Policisë, në aksident është përfshirë një veturë, ndërsa si pasojë e përplasjes drejtuesi i automjetit, futbollisti i Elbasanit, Fatjon Bunjaku, dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, drejtuesi i automjetit, Fatjon Bunjaku, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit, viktima mashkull 22-vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti fatal.
















