Ali Ahmeti nga Bërvenica: Maqedonia nuk është as e Mickoskit, as e Cërvenkovskit, është atdheu i shqiptarëve
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, mori pjesë sonte në Bërvenicë, ku mbajti fjalim pas fitores së kandidatit të AKI-së, Arkin Jahijit, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ahmeti e vuri theksin te përbërja demografike e komunës, duke theksuar se Bërvenica ka shumicë shqiptare dhe se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të përfaqësohen nga një kryetar shqiptar.
“Bërvenica është komunë me 65 për qind shqiptarë dhe u takon kryetari shqiptar. Dua të falënderoj të gjithë ata që sot u përcaktuan për të ardhmen e komunës. Arkini sot është përfaqësues i të gjithë qytetarëve të komunës”, deklaroi Ahmeti.
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi edhe retorikës politike gjatë fushatës, duke kritikuar etiketimet ndaj kandidatit Arkin Jahiji. Sipas tij, cilësimi i një kandidati si kriminel nga politikanë maqedonas nuk ndihmon bashkëjetesën dhe komunikimin ndëretnik.
“Nuk kanë bërë mirë disa politikanë maqedonas që e etiketonin përfaqësuesin tonë si kriminel. Deklarata të ngutshme nuk i bëjnë mirë bashkëjetesës, pasi ne si udhëheqës të partive nuk mund të jemi prokuror”, tha Ahmeti.
Megjithatë, deklarata që mori peshën kryesore politike në fjalimin e tij ishte ajo për karakterin e shtetit dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Maqedonia nuk është as e Hristijanit, as e Branko Cërvenkovskit, Maqedonia është atdheu i shqiptarëve që janë autoktonë dhe që nuk i kanë rënë në qafë askujt, por të tjerët na kanë rënë në qafë neve. Ne jemi shtetformues dhe i dalim zot këtij vendi”, u shpreh Ahmeti.
Ai shtoi se shqiptarët duhet të mbështeten në këtë qëndrim dhe theksoi se përgjegjësia politike duhet të shërbejë për çuarjen përpara të proceseve në vend.
Fitorja e Arkin Jahijit në Bërvenicë u shndërrua kështu edhe në një moment të rëndësishëm të mesazheve politike të BDI-së, me Ahmetin që e lidhi rezultatin zgjedhor me përfaqësimin e shumicës demografike shqiptare dhe pozitën e shqiptarëve në shtet. Gazeta Flaka













