Banka Popullore: Pagesat e menjëhershme bëhen realitet, paratë do të transferohen brenda disa sekondave, 24/7
Nis funksionimin platforma teknologjike për Sistemin Kombëtar të Pagesave të Menjëhershme. Bankat në vend pritet të përfundojnë lidhjen teknike deri në janar 2027, pas së cilës shërbimi do të jetë në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve.
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut njofton se ka filluar funksionimin platforma e klonit të sistemit TIPS, e cila përbën bazën teknologjike për krijimin e Sistemit Kombëtar të Pagesave të Menjëhershme dhe realizimin e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, së bashku me guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor – Gent Sejko nga Shqipëria, Jasmine Selimoviq nga Bosnjë-Hercegovina, Ahmet Ismaili nga Kosova dhe Irena Radoviq nga Mali i Zi – shënuan zyrtarisht përmbylljen e procesit të krijimit të platformës rajonale të klonit TIPS.
Ceremonia u mbajt në Bankën e Italisë, në prani të guvernatorit Fabio Panetta dhe ministrit italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani.
Sipas Bankës Popullore, ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në vend dhe në rajon.
Bankat duhet të përfundojnë lidhjen deri në janar 2027
Sipas dinamikës së përcaktuar të zbatimit, bankat komerciale në vend pritet të përfundojnë procesin e lidhjes teknike dhe anëtarësimit në sistem deri në fund të janarit 2027.
Pas kësaj, shërbimi i pagesave të menjëhershme do të bëhet plotësisht funksional dhe i disponueshëm për qytetarët dhe sektorin e biznesit përmes të gjitha bankave në vend.
Kjo do të mundësojë transferimin e parave brenda vetëm disa sekondave, në çdo kohë të ditës dhe natës, gjatë gjithë vitit, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.
„Me krijimin e infrastrukturës së sistemit kombëtar për pagesa të menjëhershme, të bazuar në klonin TIPS, bëhet një hap i rëndësishëm përpara në zhvillimin e qarkullimit të brendshëm të pagesave“, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
Pesë vende të rajonit të lidhura në platformën TIPS
Platforma TIPS është zhvilluar dhe menaxhohet nga Banka e Italisë, bazuar në teknologjinë e sistemit TARGET Instant Payment Settlement të Eurosistemit, i cili mundëson shlyerjen e pagesave të menjëhershme në para të bankave qendrore.
Përmes kësaj platforme mundësohet shlyerja e pagesave në kohë reale, si në monedhat kombëtare të pesë vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe në euro.
Projekti nisi vitin e kaluar, ndërsa që nga nëntori i këtij viti të pesë vendet e rajonit janë të lidhura me platformën, duke mundësuar pagesa të menjëhershme në monedhat e tyre kombëtare.
Në periudhën e ardhshme pritet të mundësohen edhe pagesat ndërkufitare në euro ndërmjet këtyre vendeve.
Shërbime të reja përmes telefonit dhe adresës elektronike
Përfitimet nga infrastruktura e re nuk do të kufizohen vetëm te shpejtësia e transferimit të parave.
Sipas Bankës Popullore, sistemi do të krijojë mundësi për zhvillimin e shërbimeve të reja digjitale, si:
- Realizimi i pagesave përmes numrit të telefonit celular ose adresës elektronike.
- Kërkesa për pagesë.
- Verifikimi i pranuesit të pagesës.
- Pagesat online.
- Pagesat përmes kodeve të ndërveprueshme.
Këto shërbime synojnë të lehtësojnë pagesat e përditshme, të rrisin përdorimin e kanaleve digjitale, veçanërisht te tregtarët dhe bizneset e vogla, si dhe të përshpejtojnë digjitalizimin e sektorit publik dhe privat.
Banka Popullore vlerëson se iniciativa përbën një hap konkret drejt përafrimit të sistemeve të pagesave në rajon me standardet dhe praktikat evropiane.
Flaka















