Barcelona në pikëpyetje – do të mbajë Araujon apo do ta shesë?
E ardhmja e Ronald Araujos te Barcelona është në pikëpyetje, pasi një klauzolë në kontratën e tij mund të ulë ndjeshëm çmimin e largimit gjatë verës. Nga 1 deri më 10 korrik, tarifa e lirimit të mbrojtësit uruguaian bie nga 1 miliard në vetëm 65 milionë euro.
Sipas gazetës katalunase ‘Sport’, disa klube të mëdha evropiane po monitorojnë situatën e Araujos. Juventus dhe Bayern Munich kanë qenë të interesuar më parë për të. Edhe pse Bayern tashmë ka siguruar nënshkrimin e Jonathan Tah, interesimi për Araujon nuk është zhdukur plotësisht, dhe një ofertë e papritur mund të rihapë bisedimet.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka deklaruar se Araujo është ende në planet e klubit dhe ka kontratë deri në vitin 2031. Por ardhja e trajnerit Hansi Flick dhe konkurrenca e madhe në mbrojtje po i bëjnë gjërat më të komplikuara për lojtarin. Pozita e tij si titullar nuk është më e garantuar, dhe kjo mund të ndikojë në vendimin e tij për të ardhmen.
Vetë Araujo ka shprehur dëshirën për të qëndruar në “Camp Nou”, por nëse një klub aktivizon klauzolën e lirimit, situata mund të ndryshojë shpejt. Barcelona, e cila ndodhet në një fazë tranzicioni, mund të tundohen nga një ofertë e fortë, sidomos nëse duan të ristrukturojnë skuadrën ose të balancojnë financat.
Gjatë javëve të para të korrikut pritet të ketë zhvillime vendimtare, ndërsa tifozët e Barçës presin me ankth të ardhmen e një prej mbrojtësve më të vlerësuar të viteve të fundit. Do të qëndrojë Araujo, apo do të largohet në një nga klubet e mëdha evropiane? Pritja për përgjigje vazhdon!
Flaka
















