BDI: Pas më shumë se dy vitesh, Afrim Gashi pranon se VLEN-i nuk ka legjitimitetin e shqiptarëve
BDI-ja ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me votat e nevojshme për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Sipas BDI-së, Gashi, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, ka pranuar publikisht se VLEN-i nuk ka fuqinë e nevojshme politike për të garantuar mbështetjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Në emisionin “Click Plus” në TV21, Gashi është shprehur se “nuk e dimë, nuk jemi të sigurt” nëse ekzistojnë numrat e nevojshëm në Kuvend për miratimin e ligjit.
BDI-ja e cilëson këtë si “një pranim të rëndë politik”, duke akuzuar VLEN-in se nuk është faktor vendimmarrës në Qeveri, por se funksionon si mbështetës i VMRO-DPMNE-së.
“VLEN erdhi në pushtet duke premtuar se do ta zgjidhte çështjen e përfaqësimit të drejtë. Sot, kryetari i Kuvendit nga radhët e tyre pranon se as nuk e di nëse Qeveria që ai përfaqëson i ka votat për ta miratuar ligjin”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti shtrohet edhe pyetja se cili është roli i VLEN-it në Qeveri, duke pretenduar se, kur bëhet fjalë për interesat politike të shqiptarëve, kjo parti “hesht”, “tërhiqet” dhe nuk arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare.
BDI-ja thotë se këto zhvillime dëshmojnë paralajmërimin e saj se, pa një legjitimitet të fuqishëm shqiptar dhe mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë, VLEN-i nuk mund të imponojë një agjendë politike shqiptare në Qeveri.
Në reagim kritikohet edhe qasja e Gashit për dialog dhe mundësi për ndryshimin e ligjit pas vlerësimit të zbatimit të tij.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për eksperimente dhe improvizime. Kanë nevojë për një mekanizëm të qartë, kushtetues dhe funksional që garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore”, thekson BDI-ja.
Në përfundim, BDI-ja e cilëson situatën si dështim të modelit qeverisës të VLEN-it, duke pretenduar se kjo parti i ka përdorur shqiptarët për të ardhur në pushtet, ndërsa më pas i ka lënë “pa zë, pa garanci dhe pa potencë politike”.
“Pas më shumë se dy vitesh, paterica e VMRO-së po e pranon vetë se nuk mund të ecë pa të”, përfundon reagimi i BDI-së. Gazeta Flaka










