BDI: Sulmi në Manastir dëshmi e klimës së urrejtjes së nxitur nga pushteti
Një incident i rëndë ndodhi në “Rrugën e Gjerë” në Manastir, ku një shqiptar me shtetësi suedeze u sulmua vetëm pse mbante një bluzë me shqiponjë. BDI reagoi ashpër, duke e cilësuar këtë si një akt të turpshëm dhe të rrezikshëm, që tregon klimën e nacionalizmit dhe diskriminimit të ushqyer nga pushteti.
“Ky është një akt i turpshëm dhe i rrezikshëm, dëshmi e qartë se nacionalizmi, diskriminimi dhe urrejtja po ushqehen përditë nga partitë në pushtet dhe nga vetë kreu shtetëror,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas këtij subjekti politik, sulmi në Manastir nuk është një incident i izoluar, por rezultat i tolerimit të hapur të gjuhës së urrejtjes në nivel të lartë shtetëror.
“Kur në tribuna, në prezencë të krerëve të shtetit, dëgjohen thirrje urrejtjeje dhe askush nuk mban përgjegjësi penale, kur përfaqësuesit më të lartë të pushtetit tallen duke thënë se ‘nuk kanë dëgjuar’ ato thirrje, atëherë nuk kemi të bëjmë më me incidente të izoluara, por me një klimë të qëllimshme nxitjeje dhe relativizimi të urrejtjes,” thekson BDI.
Ky subjekt politik paralajmëron se kjo qasje është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me vlerat mbi të cilat ndërtohet bashkëjetesa.
“Sulmet mbi baza etnike, diskriminimi në institucione dhe fushatat e urrejtjes nuk lindin vetvetiu, ato burojnë nga politika që e sheh kolltukun para barazisë dhe që relativizon çdo akt dhune etnike në vend që ta ndalë,” thekson më tej BDI.
Duke kërkuar reagim të shpejtë nga organet e drejtësisë, partia thekson:
“U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të reagojnë me masa të menjëhershme dhe pa kompromis. Çdo vonesë, çdo heshtje dhe çdo justifikim do të shihet si bashkëfajësi.”
Në fund, BDI thekson se do të jetë në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe të barazisë.
“BDI do të mbrojë çdo qytetar, çdo simbol dhe çdo të drejtë kushtetuese, sepse shteti nuk mund të ndërtohet mbi urrejtje, por mbi barazi dhe respekt të ndërsjellë,” përfundon reagimi. Flaka
















