Çfarë bëri Donald Trump? Celine Dion nuk kursen kritikat ndaj ish-presidentit amerikan
Ylli i muzikës, Celine Dion, ka reaguar ndaj fushatës së Donald Trump, pasi u vendos kënga e saj hit “My heart will go on”, në një tubim të fundit në Montana.
Sipas mediave të huaja, fushata nuk ishte e autorizuar që të përdorte hitin e saj të vitit 1997, i cili është përgjithmonë i lidhur e filmin romantik të James Cameron, “Titanic”.
“Sot, ekipi menaxhues i Celine Dion dhe kompania e saj diskografike, Sony Music Entertainment Canada Inc., u bënë të vetëdijshëm për përdorimin e paautorizuar të videos, regjistrimit, performancës muzikore dhe imazhit të Celine Dion duke kënduar “My Heart Will Go On” në fushatën e Trump/JD Vance në Montana. Në asnjë mënyrë ky përdorim nuk është i autorizuar, dhe Celine Dion nuk e miraton këtë apo ndonjë përdorim të ngjashëm”, shkruhet në një deklaratë të publikuar në llogaritë e artistes “Twitter” dhe “Instagram”.
Kujtojmë se kundërshtimi i Dion vjen më pak se një muaj pas rikthimit të saj me një performancë në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Ndërkohë artistë të njohur si Rihanna, Rolling Stones, Ozzy Osbourne, Queen etj., kanë kundërshtuar më parë që në fushatat presidenciale të Donald Trump të përdoret muzika e tyre.
















