DОМ: Shteti nuk duhet të subvencionojë banesat e shtrenjta, por të aktivizojë mijëra banesa të zbrazëta
Partia DOM kritikon masat e paralajmëruara nga Qeveria për blerjen e banesave dhe ndërtimin e shtëpive, duke kërkuar politikë reale të banimit dhe shfrytëzimin e fondit ekzistues të banesave.
Partia DOM vlerëson se detyra e shtetit nuk është të subvencionojë çmimet e larta të banesave, por të parandalojë që mijëra banesa të qëndrojnë të zbrazëta, ndërkohë që të rinjtë përballen me vështirësi për të siguruar një vendbanim.
Sipas DOM-it, politika e mirëfilltë e banimit nuk ndërtohet përmes zbritjeve për metër katror të shtrenjtë, por duke vënë në funksion fondin ekzistues të banesave.
„Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi zbritje gjatë blerjes së banesave, zero tarifa komunale për ndërtimin e shtëpive dhe masa shtesë për të rinjtë. Por, në vend që të zgjidhë problemin e banimit të papërballueshëm, Qeveria sërish ofron masa që tingëllojnë atraktive për publikun, por nuk e ndryshojnë realitetin me të cilin përballen të rinjtë“, thonë nga DOM.
Nga kjo parti shtrojnë pyetjen se si një i ri me pagë mesatare mund të sigurojë një banesë në pronësi, kur çmimet arrijnë mbi 3.000 euro për metër katror.
Sipas llogaritjeve të DOM-it, edhe me zbritjen e paralajmëruar prej 20 për qind, një banesë që kushton 3.000 euro për metër katror do të kushtonte 2.400 euro për metër katror, çmim që mbetet i papërballueshëm për një pjesë të madhe të familjeve të reja.
„E njëjta vlen edhe për lirimin nga tarifat komunale për ndërtimin e shtëpisë. Pa tokë ndërtimore të përballueshme, infrastrukturë dhe mjete të konsiderueshme personale, kjo masë është e paarritshme për shumicën e çifteve të reja“, theksojnë nga DOM.
Partia konsideron se Qeveria po e orienton vëmendjen drejt ndërtimit të banesave dhe shtëpive të reja, në vend që të trajtojë problemin e mijëra banesave tashmë të ndërtuara, por të pashfrytëzuara.
Propozimet e DOM-it për politikën e banimit
DOM propozon disa masa konkrete për përmirësimin e qasjes në banim:
- Vendosjen e tatimit më të lartë për banesat që qëndrojnë bosh për një periudhë të gjatë.
- Lehtësime tatimore për pronarët që ua japin banesat me qira të rinjve dhe familjeve të reja me çmime të përballueshme dhe të rregulluara.
- Rregullimin e tregut të qiradhënies përmes kontratave të standardizuara dhe mbrojtjes më të mirë të qiramarrësve.
- Subvencionimin e një pjese të qirasë për të rinjtë.
- Krijimin e një Fondi për Banimin e Përballueshëm, përmes rinovimit dhe vënies në funksion të objekteve të pashfrytëzuara shtetërore dhe komunale.
- Kufizimin e betonizimit të tepruar dhe planifikimin urbanistik të orientuar drejt cilësisë së jetesës, hapësirave të gjelbra dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve.
Nga DOM kërkojnë gjithashtu përgjigje nga Qeveria se sa banesa të zbrazëta ka në vend, sa prej tyre qëndrojnë jashtë tregut për vite me radhë dhe çfarë masash konkrete do të ndërmerren për t’i bërë ato të disponueshme për banim.
„Pa përgjigje ndaj këtyre pyetjeve, masat e paralajmëruara mbeten vetëm marketing i paketuar mirë, ndërsa kriza e banimit për të rinjtë vazhdon të thellohet. Qeveria nuk duhet ta masë suksesin e politikës së banimit me numrin e metrave katrorë të ndërtuar rishtazi, por me numrin e të rinjve që kanë arritur të sigurojnë një shtëpi dinjitoze dhe të përballueshme“, përfundojnë nga DOM.
Flaka















