Detaje nga zjarri që përfshiu varrezën e makinave në Tetovë

Një re e madhe tymi ka mbuluar sot Tetovën, pasi një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një varrezë makinash në qytet, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Në flakë janë përfshirë gomat e automjeteve, akumulatorët dhe pjesë plastike, ndërsa materialet e ndryshme që ndodheshin në hapësirë e kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Ekipet e Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve në Tetovë kanë luftuar me flakët për orë të tëra. Situatën e kanë komplikuar edhe shpërthimet e shkaktuara nga akumulatorët që ndodheshin në automjetet e vjetra.
Avni Ameti, shef i NJTKZ Tetovë, tha se bëhet fjalë për një zjarr me përmasa më të mëdha për shkak të materialeve që digjen, ndërsa theksoi se pompa e benzinës pranë vendit të zjarrit është e siguruar dhe aktualisht nuk paraqet rrezik.
Për shkak të afërsisë së zjarrit me objektet përreth, në terren janë angazhuar edhe banorë të lagjes, të cilët kanë ndihmuar në mbrojtjen e pronave, veçanërisht të pompës së benzinës.
Në vendngjarje ka dalë edhe Inspektorati Komunal i Mjedisit, i cili do të kryejë kontrolle dhe analiza për të përcaktuar nivelin e ndotjes së shkaktuar nga djegia e gomave, plastikës dhe materialeve të tjera.
Armend Salihi, shef i Inspektoratit Komunal, deklaroi se pas përfundimit të analizave do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me ligjin, përfshirë edhe masat ndaj përgjegjësve, nëse konstatohet shkelje.
Ndërkohë, për shkak të tymit të dendur dhe materialeve që janë duke u djegur, banorëve të zonës u rekomandohet të mbajnë dritaret të mbyllura deri në përfundimin e zjarrit dhe pastrimin e ajrit nga ndotja.











