Dr. Çeliku: “Populli i zgjedh pushtetarët – dhe ka fuqinë t’i ndalë”

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Maj, 2025 17:15

Dr. Çeliku: “Populli i zgjedh pushtetarët – dhe ka fuqinë t’i ndalë”

Në një deklararim publik, kryetarja e Lëvizjes Qytetare Evropiane, Dr. Gjyla Çeliku, ka folur për sfidat e angazhimit të saj politik në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se qëndresa e saj ndaj korrupsionit dhe pazareve politike ishte dhe mbetet e palëkundur, transmeton Flaka. Ajo shprehet krenare që nuk u bë pjesë e lojërave të errëta politike dhe se misioni i saj gjithmonë ka qenë populli dhe dinjiteti kombëtar.

Teksti i plotë i deklaratës:

Të merresh me politikë si një zë i pavarur, pa u bërë mall tregu në duart e interesave të huaja apo të armikut, nuk është aq e vështirë kur ke një parim të qartë: të zgjedhësh midis bashkëpunimit me djallin apo ruajtjes së integritetit personal dhe kombëtar.

Unë zgjodha kokën lart – e respektuar si nga bashkëpunëtorët, ashtu edhe nga populli. Sepse asnjëherë nuk lashë veten të shitem apo të shes ata që më besuan. Nuk e bëra, dhe nuk do ta bëj kurrë.

Asnjëherë nuk ishte qëllimi im të pasuroja veten në kurriz të popullit, të korruptoja apo të shantazhoja. Misioni im ishte i pastër – për popullin dhe nga populli.

Nuk kam bërë kompromis me të keqen, dhe as nuk do të bëj. Edhe pse sot nuk jam në skenën e politikës aktive, vazhdoj të luftoj në mënyra të tjera, me dinjitet dhe me ndershmëri, për të zbuluar fytyrat e vërteta të politikanëve që i shpopulluan trojet tona dhe që vazhdojnë me të njëjtin avaz, por me maska të reja.

Jam krenare që ua prisha “matematikat politike” dhe thyeva mitet sunduese. Ndryshimin e solla unë – dhe kjo i trembi “pashallarët”. Ata, në vend që të më përballnin me ide, krijuan parti “merimangash” për të më dëmtuar, duke përdorur çdo mjet: media të kontrolluara, sulme ndaj simboleve tona, manipulime në fletëvotim, dhe dhunë vizuale ndaj fushatës sime.

Ofertat për bashkëpunim i kisha – fillimisht nga pala maqedonase, më pas edhe nga ajo shqiptare. Por nuk pranova asnjë koalicion. Nuk u bëra pjesë e pazareve dhe ndarjeve që sot janë bërë aq të turpshme, sa nuk kuptoj si disa ende e quajnë veten “burra”.

Kur je individ, mund të bësh çfarë të duash. Por kur mban mbi supe përgjegjësinë politike, nuk ke më luksin të luash me fatin e popullit. Sepse atëherë nuk dëmton vetëm veten – por një komb të tërë.

Ironia është se sot “merimangat” ndihen liderë. Dhe lufta e tyre për pushtet është bërë aq e egër, saqë tani po nxjerrin zbuluar të zezat e njëri-tjetrit. Kjo, të paktën, është në dobi të popullit.

Para disa muajsh, në një bisedë të sinqertë me mikeshën time të shpirtit dhe të atdheut, znj. Elena Kocaqi, e motivova të krijonte një parti politike në Shqipëri – sepse besojmë fort që Shqipëria është e shqiptarëve dhe se duhet të vlerësohet dinjiteti kombëtar.

Edhe ajo përjetoi të njëjtën situatë si unë. Në tokat tona, dashuria për atdheun shpesh është mallkim, jo bekim. Madje dhe vetë populli është pjesërisht fajtor – i lodhur, i dorëzuar, i dorës së tretë për vendin e vet.

Por harrojnë diçka: pushtetarët nuk zbresin nga qielli – populli i zgjedh. Ai është ai që bën shtetin.

As unë dhe as Elena nuk jemi produkt i partive ekzistuese. Ne jemi produkt i shkollimit tonë, i përpjekjeve tona, dhe i ndershmërisë që nuk e vëmë në ankand.

Krenaria nuk ka çmim.

Tani shihni ata që përçahen për kolltuk. Unë ju përshëndes nga kolltuku i zyrës sime në universitet – një arritje e fituar me djersë, me dije, me përkushtim. Gjumin e bëj të qetë, sepse nuk kam dëmtuar as gënjyer askënd.

E di që ata që janë zhytur në krim e korrupsion na lakmojnë. Por ata e zgjodhën vetë atë rrugë. Ne, ndryshe.

Populli duhet të dijë: ka ende njerëz që nuk e shesin as veten, as kombin.

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Maj, 2025 17:15
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media