Ethet e Nilit Perëndimor marrin edhe një jetë në Maqedoninë e Veriut, 11 viktima gjithsej
Një grua 66-vjeçare ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup, pasi ishte prekur nga ethet e Nilit Perëndimor. Me këtë rast, numri i viktimave nga virusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 11, transmeton Flaka.
Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana, bëri të ditur se pacientja kishte zhvilluar një formë të rëndë të sëmundjes, e cila kishte prekur edhe sistemin nervor qendror. Ajo vuante gjithashtu nga disa sëmundje kronike, ndërsa gjendja e saj shëndetësore ishte vlerësuar si shumë e rëndë.
Në Klinikën Infektive vazhdon të trajtohet edhe një paciente tjetër me formë të rëndë të infeksionit. Sipas Canës, ajo ndodhet prej gati një muaji në kujdes intensiv dhe mbahet në ventilim mekanik.
Megjithatë, një zhvillim inkurajues është mungesa e rasteve të reja të shtruara në spital që nga 25 shtatori, sipas njoftimit të drejtorit të klinikës.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në rastet e rënda, virusi mund të shkaktojë komplikime neurologjike, veçanërisht te personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.












