Flaka analizon: VLEN në orbitën e Kurtit – Opozita në rrjete të gjera të gjeopolitikës shqiptare
Një debat i fuqishëm është shtrirë tashmë përtej studiove televizive në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, duke depërtuar thellë në opinionin publik dhe diplomacinë e rajonit: Kush e influencon realisht politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Tirana apo Prishtina? Dhe më konkretisht: Kush janë aleatët e Tiranës dhe kush të Prishtinës në këtë lojë të ndërlikuar politike?
Në pamje të parë, perceptimi është i thjeshtë: Edi Rama mban afër Ali Ahmetin dhe Arben Taravarin, ndërsa Albin Kurti përkrah VLEN-in. Por një analizë më e thellë zbulon një realitet shumë më kompleks dhe ndoshta më problematik për vetë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
VLEN-i si zgjatim i Vetëvendosjes
VLEN-i ka ndërtuar raportin e vet ekskluzivisht me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, shpesh duke e paraqitur këtë aleancë si burimin e vetëm të legjitimitetit politik shqiptar në rajon. Por kjo aleancë e ngushtë, në vend që të fuqizojë pozicionin e shqiptarëve, ka krijuar një izolim të rrezikshëm gjeopolitik për VLEN-in.
Në Kosovë, përveç Vetëvendosjes, VLEN nuk ka bashkëpunim të qëndrueshëm me asnjë prej liderëve të partive të tjera të mëdha, si Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj apo Lumir Abdixhiku. Në Shqipëri, ndikimi i VLEN-it është thuajse periferik, i kufizuar në kontakte me figura dytësore në Partinë Demokratike apo parti të vogla opozitare, pa ndonjë ndikim real institucional.
BDI – një rrjet institucional përtej aleancave momentale
E kundërta ndodh me BDI-në, e cila jo vetëm ka ruajtur një raport stabil dhe institucional me qeverinë shqiptare, por ka ndërtuar një urë të qëndrueshme me të gjitha krahët politikë në Kosovë, përfshirë edhe bashkëpunime të rastësishme me Vetëvendosjen.
Ali Ahmeti gëzon një respekt të rrallë ndërpartiak, i shpallur qytetar nderi në një sërë komunash të Kosovës dhe Shqipërisë – nga Tirana dhe Tropoja, te Prizreni dhe Prishtina. Ky respekt nuk është thjesht simbolik: ai përfaqëson një kapital politik të akumuluar ndër vite, përmes qëndrueshmërisë dhe pjesëmarrjes në procese shtetformuese e rajonale.
. Ambasadat dhe lufta e butë diplomatike
Një tjetër fushë ku pasqyrohet ky përplasje gjeopolitike është veprimtaria e ambasadave shqiptare dhe kosovare në Shkup. Ambasadori shqiptar Denion Meidani shpesh është në shënjestër të sulmeve mediatike të afërta me VLEN-in, ndonëse veprimtaria e tij është brenda normave diplomatike.
Nga ana tjetër, ambasadori kosovar Florian Qehaja ka ndërtuar një lidhje sistematike me përfaqësuesit e VLEN-it, duke u parë si zëdhënës jozyrtar i njëanshmërisë së Prishtinës në raport me skenën shqiptare në Shkup.
Kjo diferencë trajtimi nuk është rastësore – ajo përfaqëson tendencën për të shpallur “armiq politikë” të gjithë ata që nuk mbështesin ekskluzivitetin e VLEN-it në përfaqësimin e shqiptarëve, një strategji e rrezikshme për vetë unitetin shqiptar në rajon.
Vizitat e larta që nxisin tensione të panevojshme
Së fundmi, vizitat e personaliteteve të larta të shtetit shqiptar – si kryeministri Edi Rama, presidenti Bajram Begaj apo aktivitetet e ambasadorit Meidani – janë sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga media dhe eksponentë të afërt me VLEN-in.
Kritikat ndaj vizitës së Ramës në Shkup, qëndrimi ndaj presidentit Begaj në Ohër apo aktivitetet në shkolla në zonat rurale me prezencë shqiptare – flasin për një qasje të ngushtë dhe përjashtuese ndaj gjithçkaje që nuk kalon përmes kanalit Vetëvendosje–VLEN.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë në një moment vendimtar për të kuptuar se mbështetja nga Tirana dhe Prishtina nuk duhet të jetë monopol i askujt. Nuk ka asgjë të keqe në raportet afatgjata me Albin Kurtin, por përpjekja për të përjashtuar Ramën, Ahmetin apo institucionet e Shqipërisë është kundërproduktive dhe e dëmshme për interesin kombëtar.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për një diplomaci gjithëpërfshirëse, për një politikë që bashkon, jo ndan, dhe për liderë që ndërtojnë ura, jo që i djegin ato për hir të protagonizmit të çastit.









































