Guardiola: “I thashë Agueros se po largohej, më ktheu përgjigje me gola!”
Pep Guardiola, trajneri legjendar i Manchester Cityt, ishte së fundmi i ftuar në kanalin e njohur në YouTube, “xBuyer”, i drejtuar nga vëllezërit Javier dhe Eric Ruiz, me mbi 5.7 milionë abonentë.
Gjatë intervistës, Guardiola ndau me publikun mendime të thella për filozofinë e tij të trajnerit, sfidat e brezit të ri të futbollistëve, por edhe një episod të veçantë me legjendën e Cityt, Sergio Aguero.
“E dua shumë Agueron. Ai është një nga lojtarët më të mëdhenj që kam njohur ndonjëherë. Shënoi golin më të rëndësishëm në historinë e Cityt – falë atij, klubi filloi të besonte,” tha Pep.
Ai më pas kujtoi me humor momentin kur i kishte komunikuar Agueros vendimin për të mos ia rinovuar kontratën:
“E mbaj mend ditën kur i thashë se nuk do të rinovonim me të. Ishte shumë e vështirë për mua. Dhe më vonë atë ditë, në stërvitje, ai kopil shënoi 200 gola! Kishte një fytyrë që thoshte: ‘Tani do t’ia tregoj këtij…’”
“Madje i thashë: ‘Sergio, do ta rinovojmë kontratën tënde, bëra një gabim!’ Në ndeshjen e fundit, ai shënoi dy gola. Ishte një privilegj ta stërvisja Agueron – një talent i rrallë, i papërsëritshëm,” përfundoi Guardiola.
Ky rrëfim prekës dhe njëkohësisht humoristik tregon lidhjen e veçantë që Guardiola ka pasur me disa nga lojtarët më të shquar të karrierës së tij – dhe Agüero, padyshim, zë një vend të veçantë në zemrën e tij.
Flaka
















