Hapet Qendra Sportive ASIART në Gostivar, Berat Jakupi: Do të vazhdojmë me përkushtim në shërbim të sportit
Në Gostivar u bë hapja solemne e Qendrës Sportive ASIART, një objekt i ri që synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit dhe të rinjve.
Me këtë rast, themeluesi i qendrës, Berat Jakupi, falënderoi të gjithë të pranishmit që morën pjesë në ceremoninë inauguruese.
“Një falënderim i sinqertë për të gjithë ata që na nderuan me praninë e tyre në hapjen solemne të Qendrës Sportive ASIART.
Mirënjohje të veçantë për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, si dhe për të gjithë mysafirët, miqtë dhe sportdashësit që ndanë me ne këtë moment të rëndësishëm.
Prania juaj ishte nder dhe motivim për të vazhduar me përkushtim në shërbim të sportit.
Faleminderit nga zemra!”, ka shkruar Jakupi.
Berat Jakupi konsiderohet një nga karateistët më të suksesshëm shqiptarë dhe të Maqedonisë së Veriut. I lindur në Gostivar, ai karrierën sportive e nisi në vitin 2001, duke arritur suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare. Ai është katër herë kampion i Evropës në kategori të ndryshme, kampion i Lojërave Mesdhetare, medalist i Kampionatit Botëror për U21, shtatë herë kampion ballkanik dhe shumë herë kampion shtetëror. Në vitin 2014 u rendit numri një në botë në kategorinë kumite deri në 84 kilogramë sipas renditjes së Federatës Botërore të Karatesë.
Pas përfundimit të karrierës aktive në fund të vitit 2025, Jakupi vazhdon angazhimin e tij në zhvillimin e sportit përmes klubit ASIART dhe projekteve sportive në Gostivar, duke investuar në krijimin e kushteve moderne për stërvitjen dhe edukimin e brezave të rinj. Gazeta Flaka
















