Julián Álvarez shpërthen: “Mos llogarisni më tek unë”, kërkon largimin nga Atlético
Julián Álvarez duket se e ka humbur durimin dhe ka marrë një qëndrim të prerë për të ardhmen e tij te Atlético Madrid.
Sipas raportimeve të fundit, sulmuesi argjentinas u ka bërë të ditur drejtuesve të klubit se nuk dëshiron që të llogarisin më tek ai, pasi synon të largohet gjatë kësaj merkatoje.
Álvarez ka shkuar në ambientet e klubit së bashku me agjentin e tij, Fernando Hidalgo, për të diskutuar drejtpërdrejt situatën dhe dëshirën e tij për t’u larguar. Raportohet se futbollisti beson se ka të drejtë ta shprehë qartë qëndrimin e tij për të ardhmen.
Sipas këtyre raportimeve, argjentinasi është i pakënaqur edhe me mënyrën se si Diego Simeone e ka trajtuar situatën. Álvarez beson se trajneri argjentinas duhej të përballej drejtpërdrejt me të dhe të diskutonte për çështjen.
Madje, raportohet se Simeone është larguar për dy ditë drejt Ibiza-s, pavarësisht se ishte në dijeni për rikthimin e Álvarez dhe dëshirën e tij për të diskutuar largimin.
Álvarez është shfaqur dy herë gjatë ditës në ambientet e Atlético Madridit, gjithmonë i shoqëruar nga agjenti i tij, duke e bërë situatën edhe më të nxehtë.
Tashmë pritet të shihet nëse Atlético do të pranojë kërkesën e sulmuesit apo do të përpiqet ta bindë atë të qëndrojë në Madrid. E ardhmja e Julián Álvarez duket më e pasigurt se kurrë.
Flaka










