“Lagjja e Trimave” pas 11 vitesh: Flaka sjell pamje ekskluzive
Njëmbëdhjetë vjet pas ngjarjeve të armatosura në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, rasti mbetet ende një nga episodet më të ndjeshme dhe më të diskutueshme në Maqedoninë e Veriut, shkruan Gazeta Flaka

Pavarësisht proceseve gjyqësore dhe dënimeve të rënda ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës”, kërkesat për zbardhje të plotë të ngjarjes nuk janë ndalur ndër vite.

Figura politike nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria kanë kërkuar vazhdimisht hetim ndërkombëtar, duke argumentuar se vetëm një proces i pavarur mund të sqarojë të gjitha dilemat që e shoqërojnë rastin.

Në vitin 2018, ish-kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar se institucionet do të shqyrtonin mundësinë e një hetimi ndërkombëtar për të hequr paqartësitë rreth vendimeve gjyqësore.

Ndërkohë, lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka theksuar disa herë se përmasat e rastit kërkojnë angazhim ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të motivit dhe prapavijës së ngjarjes.

Edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski kishte deklaruar se qeveria kishte marrë obligim për një hetim plotësues ndërkombëtar, me qëllim sqarimin e plotë të rastit.

Nga Kosova, figura politike si Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti kanë mbështetur gjithashtu idenë e përfshirjes së faktorit ndërkombëtar, ndërsa familjarët e të dënuarve kanë organizuar protesta duke kërkuar rihapje të rastit dhe transparencë më të madhe.

Gjykata në Maqedoninë e Veriut ka dënuar 33 persona me gjithsej 746 vite burg, përfshirë shtatë dënime me burgim të përjetshëm.

Nga përleshjet e 9 dhe 10 majit 2015 humbën jetën 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe tetë pjesëtarë të policisë, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në historinë e vendit.

Në përvjetorin e 11-të, media “Flaka” publikoi edhe fotografi të papublikuara më parë nga “Lagjja e Trimave”, të realizuara një ditë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, duke rikthyer sërish vëmendjen te një nga ngjarjet më të debatuara në rajon. Gazeta Flaka

Fotografitë u realizuan nga gazetari Driton Zenku, pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”.
















