Mbappé: Messi është më i miri, së bashku me Ronaldon janë mbi të gjithë
Sulmuesi i Francës, Kylian Mbappé, ka folur hapur për garën me yjet më të mëdhenj të futbollit botëror përpara ndeshjes së radhës së kombëtares franceze në Kupën e Botës 2026.
Duke komentuar faktin se Lionel Messi e ka kaluar në renditjen e golashënuesve të Botërorit, Mbappé tregoi respekt të madh për legjendën argjentinase.
“E dija që Leo do të shënonte, ai gjithmonë shënon. Tani jam pas tij”, deklaroi francezi.
I pyetur se kush është futbollisti më i mirë mes tij, Erling Haaland, Harry Kane dhe Messit, Mbappé nuk la vend për dilema.
“Messi, kjo është e qartë. Leo, së bashku me Cristianon, janë më të mirët”, u shpreh ai, duke vlerësuar edhe Cristiano Ronaldo si një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit.
Ylli francez foli edhe për konkurrencën me Erling Haaland, por theksoi se fokusi i tij aktual është vetëm te ndeshja e ardhshme e Francës.
“Unë nuk po mendoj për përballjen me Haalandin. Ndoshta ata po mendojnë për ne, por unë jam i fokusuar te Iraku”, tha Mbappé.
Pavarësisht se realizoi dy gola në ndeshjen hapëse të Botërorit, sulmuesi francez beson se ka ende shumë për të dhënë.
“Dy gola nuk mjaftojnë për të treguar talentin tim në skenën më të madhe si Kupa e Botës. Më duhet më shumë”, deklaroi ai.
Në fund, Mbappé komentoi edhe jetëgjatësinë e jashtëzakonshme sportive të Messit dhe Ronaldos, duke bërë shaka për të ardhmen e tij.
“Nuk besoj se do të jem këtu në moshën 40-vjeçare. Deri atëherë do të më kenë larguar”, tha ai me humor.
Flaka












