Moti i butë vazhdon edhe disa ditë, por e diela sjell kthesë të ftohtë
Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ketë temperatura relativisht të larta për këtë periudhë të vitit, por fundjava pritet të sjellë ndryshim të kushteve atmosferike.
Gjatë ditës së sotme moti do të karakterizohet nga vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Në disa lugina nuk përjashtohet paraqitja e mjegullës në orët e mëngjesit, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 15 gradë Celsius.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga 2 deri në 9 gradë, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga jugu, me intensitet të dobët deri mesatar.
Edhe në Shkup pritet mot i ngjashëm, me temperaturë minimale rreth 7 gradë dhe maksimale deri në 14 gradë Celsius.
Kushtet relativisht të ngrohta do të vazhdojnë deri të shtunën, ndonëse gjatë kësaj periudhe mund të ketë reshje lokale shiu dhe mjegull në disa lugina. Të premten pritet edhe forcim i erës jugore, e cila herë pas here do të ketë intensitet të fuqishëm.
Ndryshimi më i ndjeshëm pritet të ndodhë të dielën. Një masë më e ftohtë ajrore nga veriu do të depërtojë në vend, duke sjellë rënie të temperaturave dhe stabilizim të motit.
Kështu, pas disa ditësh me temperatura pranverore për këtë periudhë të nëntorit, vendi pritet të përballet me kushte dukshëm më të ftohta drejt fundit të javës.











