Nga “Balancuesi”, “Gjuha dhe deri te rrugët e Tetovës: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë alarmuar shqiptarët

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Qershor, 2026 22:37 Përditësuar

Nga “Balancuesi”, “Gjuha dhe deri te rrugët e Tetovës: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë alarmuar shqiptarët

Gjatë dy viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut është gjendur vazhdimisht në qendër të debateve politike dhe etnike, për shkak të një sërë vendimesh dhe procedurash që janë perceptuar nga partitë dhe opinioni shqiptar si goditje ndaj të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe ndaj frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Megjithëse Gjykata i ka arsyetuar veprimet e saj si pjesë e kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, kundërshtarët e këtyre vendimeve argumentojnë se efektet e tyre politike dhe shoqërore kanë prekur kryesisht komunitetin shqiptar.

Shfuqizimi i “Balancuesit”

Një nga vendimet më të debatueshme ishte shfuqizimi i mekanizmit të njohur si “Balancuesi”, i cili për vite me radhë ishte përdorur për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve etnike në administratën publike.

Për partitë shqiptare, ky mekanizëm ishte një nga instrumentet më konkrete të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shfuqizimi i tij u interpretua si hap prapa në procesin e barazisë etnike dhe përfaqësimit institucional të shqiptarëve.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nën lupën e Kushtetueses

Një tjetër çështje që shkaktoi reagime të forta ishte pranimi i iniciativave për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Ligji, i cili rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, konsiderohet nga shqiptarët si një nga arritjet më të rëndësishme politike pas Marrëveshjes së Ohrit.

Vetë fakti që Gjykata Kushtetuese hapi procedurë për shqyrtimin e tij u pa me shqetësim nga partitë shqiptare, të cilat paralajmëruan se çdo cenim i ligjit do të prekte drejtpërdrejt të drejtat gjuhësore të shqiptarëve.

Vendimi për emrat e rrugëve në Tetovë

Rasti më i fundit lidhet me shfuqizimin e vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007 për riemërtimin e një numri rrugësh dhe shesheve në qytet.

Për shumë qytetarë shqiptarë, këto emërtime përfaqësojnë jo vetëm orientim urban, por edhe kujtesë historike, identitet kulturor dhe afirmim të pranisë shqiptare në Tetovë.

Prandaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është interpretuar nga shumë aktorë politikë si një ndërhyrje që prek simbolikën shqiptare në një nga komunat me shumicë shqiptare në vend.

Një model që ngre pikëpyetje

Profesori universitar,  Ruzhdi Matoshi ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e vendimit te Keshillit të Komunës së Tetovës për pagëzimin e rrugëve të Tetovës.

““Gjykatësit shqiptarë që janë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut të dorhiqen nga ky institucion që shfaq vazhdimisht prirje shoviniste ndaj popullit shqiptar në trojet e veta”, shkruan Matoshi.

Analisti dhe publicisti Lutfi Dervishi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve dhe hapësirave publike në Tetovë, duke vlerësuar se çdo përpjekje për të cenuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit përbën rrezik për marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e vendit.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Dervishi thekson se të drejtat që shqiptarët gëzojnë sot nuk janë rezultat i vullnetit të institucioneve të kohës, por i proceseve historike që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duket se ka harruar një të vërtetë historike: të drejtat që shqiptarët gëzojnë sot nuk ua dhanë as ligjet dhe as kushtetuta e kohës, por një konflikt i armatosur që e bëri të pashmangshme Marrëveshjen e Ohrit”, shkruan Dervishi.

Sipas tij, vendime që prekin identitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në hapësirën publike nuk mund të trajtohen vetëm si çështje juridike, pasi ato bartin pasoja më të gjera politike dhe shoqërore.

“Prandaj çdo përpjekje për të zhbërë frymën e saj, qoftë edhe përmes vendimeve që prekin identitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në hapësirën publike, nuk është thjesht interpretim juridik, por rihapje e një plage që po mbyllej”, thekson ai. 

Kur analizohen së bashku, këto raste krijojnë perceptimin e një tendence ku çështjet që lidhen me përfaqësimin etnik, përdorimin e gjuhës shqipe dhe identitetin shqiptar po përfundojnë vazhdimisht në fokusin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo ka nxitur pyetje nëse vendimet e fundit janë thjesht interpretime juridike të Kushtetutës apo nëse ato po prodhojnë pasoja politike që cenojnë ekuilibrin e ndërtuar pas vitit 2001.

Debati bëhet edhe më i ndjeshëm në kohën kur Bashkimi Evropian dhe Parlamenti Evropian vazhdojnë të kërkojnë respektim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ruajtje të karakterit multietnik të shtetit dhe forcim të të drejtave të komuniteteve.

Për shqiptarët, çështja nuk lidhet vetëm me disa vendime juridike. Ajo lidhet me pyetjen nëse arritjet e fituara gjatë dy dekadave të fundit do të mbeten të pacenueshme apo do të vihen gradualisht në pikëpyetje përmes institucioneve të shtetit.

Këto lëvizje e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur institucionet evropiane po kërkojnë më shumë kujdes në raportet ndëretnike dhe më shumë respekt për frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Për shumë vëzhgues, përplasja mes mesazheve që vijnë nga Brukseli dhe zhvillimeve të brendshme institucionale në vend rrezikon të hapë debate të reja politike dhe etnike. Gazeta Flaka

294
SONDAZHI

A duhet vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Qershor, 2026 22:37 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
294
SONDAZHI

A duhet vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?