Një interpretim ndryshe i Goce Dellçevit nga Ali Ahmeti: Me plis të bardhë arnaut dhe shall të zi
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar figurën e revolucionarit Goce Dellçev, në përvjetorin e vdekjes së tij më 4 maj 1903, duke e cilësuar jetën dhe veprën e tij si një mësim të rëndësishëm për politikën e sotme.
Në reagimin e tij, Ahmeti thekson filozofinë e Dellçevit për bashkëjetesën dhe garën mes popujve:
“Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve.”
Ai shton se kjo devizë duhet të shërbejë si udhërrëfyes edhe për klasën aktuale politike.
Përshkrimi i rrallë nga biografi Pejo Javorov
Ahmeti ka ndarë edhe një përshkrim të veçantë të Dellçevit nga biografi i tij më i njohur, Pejo Javorov, i cili e përshkruan figurën e tij në mënyrë të detajuar:
“Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tyrqet e përhimta prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake.”
Mesazh për përjetësinë e figurës
Në fund të reagimit të tij, Ali Ahmeti thekson:
“I përjetshëm kujtimi për Revolucionarin Goce Dellçev!”
Përkujtimi i kësaj figure historike vjen si një thirrje për reflektim mbi vlerat e bashkëjetesës, respektit dhe vizionit politik në shoqërinë e sotme.
















