“Një zë për shqipen” – studentët shqiptarë rikthehen sot në protestë në Shkup
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të protestojnë sot, më 18 maj, në ora 16:30 para Stone Bridge në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, protesta pritet të mbledhë studentë, të rinj dhe qytetarë nga vende të ndryshme, ndërsa organizatorët thonë se bëhet fjalë për një kauzë që lidhet me të drejtat gjuhësore dhe barazinë në arsim e institucione.
Përveç studentëve, thirrjes për protestë iu janë përgjigjur edhe figura të njohura nga fusha të ndryshme. Mbështetje publike për protestën kanë dhënë politikanë shqiptarë nga rajoni, shoqata patriotike e kulturore, profesorë universitarë, artistë, sportistë dhe aktivistë civilë, duke e shndërruar çështjen në një temë me jehonë mbarëkombëtare.
Organizatorët kanë bërë thirrje që protestës t’i bashkohen edhe sportistë, artistë dhe figura publike, me mesazhin se kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale nuk është vetëm çështje studentore, por çështje e barazisë dhe dinjitetit.
Kjo është protesta e dytë e studentëve shqiptarë për këtë çështje, pas marshit të organizuar më 6 prill, i cili mobilizoi qindra pjesëmarrës dhe riktheu në qendër të debatit publik temën e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Gazeta Flaka
















