Policia regjistron disa raste në Pollog: Drogë, mashtrim prej 6.000 eurosh dhe dhunë ndaj të miturit
Policia ka regjistruar disa raste të veprave të dyshuara penale në rajonin e Pollogut gjatë 24 orëve të fundit. Në Gostivar dhe Tetovë janë evidentuar raste të lidhura me drogën, mashtrimin, dhunën në familje, tentativën për vjedhje, si dhe mosndalimin e automjetit ndaj urdhrit policor. Disa persona janë privuar nga liria.
Në Gostivar, më 1 nëntor, në orën 00:40, policia ka arrestuar 48-vjeçarin S.J., pasi gjatë bastisjes tek ai janë gjetur dhe sekuestruar një substancë pluhur me ngjyrë të bardhë dhe marihuanë. Me urdhër gjyqësor është kontrolluar edhe shtëpia e tij dhe hapësirat ndihmëse, ku janë gjetur marihuanë dhe një peshore digjitale. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Ndërkohë, në Tetovë, një 49-vjeçar ka denoncuar se është mashtruar për 6.000 euro nga një 41-vjeçar nga fshati Miletinë. Sipas denoncimit, më 18 shtator ata kishin lidhur kontratë për shitblerjen e një automjeti „Volkswagen Golf“, por personi i dyshuar nuk e kishte paguar shumën dhe as nuk e kishte kthyer automjetin brenda afatit të dakorduar. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Një rast i dhunës ndaj një të mituri është raportuar në Gostivar. Një 45-vjeçare ka denoncuar se më 31 tetor, rreth orës 23:30, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, nipi i saj i mitur është sulmuar fizikisht nga nëna dhe motra e tij, ndërsa motra dyshohet se ka përdorur edhe një mjet të fortë. Policia po heton rastin.
Në fshatin Çiflik të Tetovës, policia ka privuar nga liria 21-vjeçarin F.D., nën dyshimin se është përpjekur të kryejë vjedhje në një shtëpi. Ai gjithashtu është denoncuar nga një 26-vjeçar nga fshati Lërcë, i punësuar në një objekt gastronomik në Çiflik, se e kishte sulmuar fizikisht. Sipas policisë, mes tyre ka pasur edhe kundërpërgjigje fizike. Për të dy rastet po ndërmerren masa.
Në një tjetër rast, në rrugën „Bllagoja Toska“ në Tetovë, është arrestuar 47-vjeçari J.Q. nga fshati Nerasht, i cili kërkohej me urdhër gjyqësor për vuajtjen e dënimit me burg. Ai është dërguar në burgun e Tetovës për të vuajtur dënimin.
Ndërkaq, në fshatin Pallaticë, policia ka arrestuar 24-vjeçarin E.K., i cili dyshohet se një natë më parë, gjatë drejtimit të automjetit „BMW“, nuk i ishte bindur urdhrit të policisë për ndalim. Sipas MPB-së, ai kishte hyrë në kahun e kundërt të lëvizjes, kishte goditur një automjet zyrtar policor dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas ndalimit, ai është dërguar në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit pritet të pasojë parashtresë përkatëse.
Policia njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve. /Gostivari Sot/













