Sami Khedira zbulon prapaskenat e “El Clásico”-s: Mourinho kishte vetëm një objektiv, të ndalte Messin
Sami Khedira ka zbuluar disa detaje interesante nga përgatitjet e Real Madridit për ndeshjet ndaj Barcelonës gjatë periudhës së José Mourinhos.
Ish-mesfushori gjerman ka treguar se përballjet me Barcelonën ishin të veçanta dhe se Mourinho i kushtonte vëmendje të jashtëzakonshme mënyrës se si mund të ndalej Lionel Messi.
“Përgatitja për ndeshjet kundër Barcelonës ishte qesharake. Flisnim dy minuta për ekipin e tyre dhe më pas 45 minuta për Lionel Messin. Ai përgatitej për çdo detaj”, ka treguar Khedira.
Sipas tij, Mourinho ndryshonte edhe pozicionimin e lojtarëve në varësi të mënyrës se si duhej neutralizuar ylli argjentinas. Në disa raste, Pepe luante si mesfushor defensiv, ndërsa në raste të tjera këtë rol e merrte Sergio Ramos.
Por frika e Mourinhos ndaj Messit nuk ishte vetëm pjesë e përgatitjeve taktike. Trajneri portugez e ka pranuar edhe vetë në dokumentarin e tij se Messi i shkaktonte “makthe” dhe se kalonte net duke menduar se si mund ta ndalonte argjentinasin.
Këto rrëfime tregojnë edhe një herë ndikimin e jashtëzakonshëm që Messi kishte në “El Clásico” dhe sfidën që ai përfaqësonte për një prej trajnerëve më të mëdhenj të futbollit.
Flaka












