Shpërthen gazetari kosovar: Bekim Qoku është bashkëpunëtor i BIA-s serbe
Berat Buzhala reagon pas ndalimit të zyrtarëve të VLEN në Qafë-Thanë: “Po të isha unë në doganë, nuk do t’i kisha lënë të hynin”
Gazetari dhe analisti nga Kosova, Berat Buzhala, ka reaguar ashpër pas lajmit se deputeti Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zyrtari i lartë qeveritar Hasim Murtezani, të gjithë pjesë e koalicionit VLEN, u ndaluan për rreth një orë në pikën kufitare të Qafë-Thanës, gjatë udhëtimit drejt Shqipërisë.
Në një reagim publik, Buzhala përdori tone të forta ironike dhe kritike, duke deklaruar se, po të ishte ai në doganë, nuk do t’i kishte lejuar të hynin në Shqipëri. Ai akuzoi Bekim Qokun se është “bashkëpunëtor i BIA-s serbe dhe i Aleksandar Vuçiçit”.
“Një delegacion që e ndan shtratin me agjentin e BIA-s serbe, Ivan Stoilkoviç, u nis për të protestuar në Tiranë kundër Edi Ramës dhe në Qafë-Thanë i paskan ndaluar një orë. Unë nuk i kisha lënë të hynin fare”, deklaroi Buzhala.
Ai kritikoi edhe pjesëmarrjen e tyre në protestën e paralajmëruar në Tiranë, duke pyetur se për çfarë po protestojnë, ndërsa, sipas tij, janë pjesë e një qeverie që bashkëpunon me figura të afërta me Serbinë.
Më tej, Buzhala pretendoi se qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku bën pjesë edhe VLEN, është në aleancë me Serbinë dhe në përplasje me Bullgarinë, ndërsa Shqipëria ka avancuar në procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, Ivan Stoilkoviç ka qenë “pika kryesore e BIA-s për destabilizimin e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa shtoi se Bekim Qoku dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e problematizojnë këtë, por protestojnë kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Reagimi i Buzhalës vjen pas raportimeve se tre zyrtarët e VLEN u ndaluan për rreth një orë në kufirin e Qafë-Thanës, gjatë udhëtimit të tyre drejt Shqipërisë. Top Channel raportoi se ndalimi ka shkaktuar reagime politike në Shkup dhe Tiranë.
















