Zhvillimet në VLEN!

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Prill, 2025 22:48

Zhvillimet në VLEN!

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Taravarit, Rijad Shaqiri thotë se bisedimet brenda koalicionit VLEN nuk mund të bëhen me ultimatume. Sipas tij mes liderëve të VLEN-it nuk ka përplasje e përçarje por thjeshtë prezantim të qëndrimeve. Shaqiri thotë se brenda Kuvendit, për momentin nuk ka bisedime sa i përket zgjedhjeve lokale.

Shaqiri tha se funksionimi i tyre tani për tani është në kuadër të VLEN-it ndërsa në të ardhmen, do të veprojnë ashtu siç do të vendosë kryesia e partisë.

“Bisedimet nuk bëhen me ultimatume prej një javë apo dy javë. Ne kemi dhënë një draft version i cili është në tavolinë për t’u shqyrtuar. Nuk ka asnjë përplasje. Është një paraqitje e qëndrimeve do të thotë nga ana e liderëve dhe nuk ka përplasje. Këtu ka mendime ndryshe, çdokush mendon për subjektin e vet politik, gjë që është e natyrshme mirëpo nuk ka përplasje kurrfarë. Vazhdojmë bisedimet, të shohim. A keni koordinime edhe me deputetët apo me përfaqësuesit e BDI-së? Koordinime ne kemi me të gjithë deputetët që janë pjesë e Parlamentit, me deputetë shqiptarë për të mirën e shqiptarëve. Ndërsa për zgjedhjet lokale nuk kemi ndonjë bisedim me BDI-në, për momentin!”, tha Rijat Shaqiri – deputet i ASH.

Kurse kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, në intervistën e tij në RTM2, ka folur rreth atmosferës dhe bisedimeve mes VLEN-it për ndarjen e komunave. Ibrahimi tha se ata i kanë bërë një ofertë ASH-së, dhe ka qenë në funksion të asaj që ASH të mbetet në kuadër të Koalicionit VLEN.

“Ne duam që ASH të merr vendim që të mbetet brenda VLEN-it, dhe ne të tjerët jemi të vendosur që të gjejmë zgjidhje qoftë nëse edhe duhet njëri nga ne të tolerojmë një komunë të caktuar apo një listë zgjedhore. Gjithnjë duke u prirë nga ajo që VLEN-i duhet të mbetet unik për zgjedhje lokale dhe nëse ne jemi të bashkuar rreth këtij ideali, çështjet tjera janë temë sekundare”, u shpreh Ibrahimi.

Ai shtoi se nëse ndodhë shkrirja e VLEN-it para zgjedhjeve lokale, atëherë bëhet edhe më e lehtë, pasi çdo kryetar Komune është funksionar i VLEN-it dhe nuk është me rëndësi i cilës parti specifike është. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Prill, 2025 22:48
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media