BDI: Krimi urban në Çair – Pjesë e një projekti politik për shantazh dhe nënshtrim të përfaqësuesve shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas publikimit të informacioneve rreth aktiviteteve të dyshuara të paligjshme në komunën e Çairit, të cilat lidhen me ndërtimet pa leje në këtë zonë. Sipas BDI-së, ky është një “krim urban” që ka edhe prapavijë të thellë politike dhe që, sipas tyre, vetëm sa e konfirmon atë që e kanë paralajmëruar më herët.
“Zbulimi i aktiviteteve të paligjshme të udhëheqësisë së VLEN-it, si pjesë e të ashtuquajturës ‘Krimi Urban’, vetëm sa vërteton atë që e kemi denoncuar që në fillim,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, VLEN-i është projektuar dhe përzgjedhur nga VMRO-DPMNE, me qëllim që të përfaqësohet me figura që janë të kontrollueshme përmes instrumenteve të drejtësisë.
“VMRO-DPMNE i krijoi dhe i zgjodhi ata sepse janë të shantazhueshëm dhe të kontrollueshëm përmes dosjeve të hapura në Prokurorinë e kapur nga pushteti,” deklaron BDI.
Në reagimin e saj, BDI hedh akuza konkrete për ndërtimin e mbi 150 objekteve pa leje në komunën e Çairit, duke i cilësuar këto si veprime të rrezikshme dhe të paligjshme që cenojnë sigurinë e qytetarëve.
“Ndërtimi i mbi 150 ndërtesave pa leje, pa standarde statike e sizmike dhe pa asnjë kontroll institucional, paraqet jo vetëm krim urban dhe rrezik serioz për qytetarët, por edhe mjet presioni politik ndaj drejtuesve të këtyre partive të preferuara nga Mickoski,” thuhet më tej.
Për BDI-në, kjo situatë është pjesë e një strategjie më të gjerë të Qeverisë aktuale që, sipas tyre, synon nënshtrimin e përfaqësuesve shqiptarë përmes frikës nga ndjekja penale dhe dobësimin e barazisë ndëretnike në vend.
“Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë këtë farsë përfaqësimi, ku zëri i tyre zëvendësohet me njerëz të përulur nga frika e ndjekjes penale,” thuhet në deklaratë.
Në fund, BDI akuzon Qeverinë se po rrezikon Marrëveshjen e Ohrit dhe procesin eurointegrues të vendit.
“Ky është një projekt i qëllimshëm për të dëmtuar barazinë ndëretnike, për të zhbërë Marrëveshjen e Ohrit dhe për ta nxjerrë vendin nga rruga evropiane,” përfundon reagimi.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet politike mes subjekteve shqiptare janë në rritje dhe kur akuzat për ndikim të jashtëm dhe përçarje të përfaqësimit shqiptar po dominojnë diskursin publik. Flala Media