BDI akuzon Qeverinë për sulm sistematik ndaj gjuhës shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj, siç e quan, “veprimeve sistematike të Qeverisë për ta përjashtuar gjuhën shqipe nga sfera publike.” Në një deklaratë publike, BDI shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit që, sipas tyre, cenojnë drejtpërdrejt përdorimin zyrtar të shqipes në institucionet shtetërore.
“Gjykata Kushtetuese është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve,” thuhet në deklaratë, ndërsa theksohet se paralelisht me këtë, Inspektorati për zbatimin e ligjit është bllokuar dhe në kolaps total funksional.
BDI bën të ditur se “inspektorët nuk marrin pagë tash e gjashtë muaj, nuk kanë kushte bazë për punë dhe janë pa qasje në automjetet zyrtare.” Madje, sipas tyre, “vetë drejtori, i emëruar nga Qeveria, ka pranuar publikisht se i përdor automjetet për nevojat e tij personale, ndërsa institucioni nuk funksionon.”
Situata u përshkallëzua më tej nga deklarata e Ministrit për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkovic, i cili, sipas BDI-së, tha: “Do ta shkarkoj drejtorin e Inspektoratit, jo për mosfunksionim, por për t’ia treguar vendin inspektoratit.”
BDI e ka cilësuar këtë si “shfaqje të drejtpërdrejtë të presionit institucional dhe të poshtërimit ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.”
Në deklaratë, kjo parti i bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë shqiptarë, përfshirë edhe përfaqësuesit e mbetur të koalicionit VLEN brenda Qeverisë, që të marrin përgjegjësi dhe të reagojnë ndaj këtyre zhvillimeve.
“Gjuha shqipe nuk është privilegj politik, ajo është kategori kushtetuese dhe pjesë e themeleve të Marrëveshjes së Ohrit,” përfundon deklarata e BDI-së.