217 studentë të Universitetit “Nënë Tereza” vizitojnë Tiranën, mesazh i veçantë nga Meidani
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka ndarë përshtypjet nga një vizitë e studentëve të Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit në Tiranë, duke vlerësuar rolin e të rinjve në ndërtimin e së ardhmes së rajonit.
Përmes një postimi, Meidani theksoi se dita e kaluar në Tiranë me studentët ishte një dëshmi e potencialit dhe energjisë së gjeneratave të reja.
“E diel e bukur në Tiranë me Besarin, 217 studentë të Universitetit ‘Nënë Tereza’ të Shkupit dhe mikpritësin e palodhur, Blendi Gonxhja”, ka shkruar ambasadori.
Ai ka vlerësuar studentët si shpresë dhe garanci për zhvillimin e rajonit në vitet që vijnë.
“217 arsye për të besuar se e ardhmja e rajonit tonë tashmë është në duar të mira”, ka theksuar Meidani.
Në mesazhin e tij, ambasadori shqiptar ka shprehur gjithashtu mikpritjen e Shqipërisë për studentët dhe të rinjtë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
“Në Shqipërinë tonë, e tuajën, jeni gjithmonë të mirëseardhur!”, ka përfunduar ai. Gazeta Flaka
















